Inteligjenca Artificiale bën parashikimet: Ja kush e fiton Botërorin

Inteligjenca Artificiale bën parashikimet: Ja kush e fiton Botërorin

09:41, 19/06/2018

Një kërkim i bërë nga Goldman Sachs ka shfrytëzuar algoritme që ushqehen nga Inteligjenca Artificiale për të kuptuar se cila skuadër do të fitojë Kampionatin Botëror të Futbollit Rusi 2018

Po mendoni të vini një bast me miqtë se cila do të jetë skuadra që do të fitojë Kampionatin Botëror të Futbollit Rusi 2018?

Duhet të dini se ekzistojnë të paktën një milion variante të mundshme.

Kjo është të paktën ajo që doli nga një algoritëm i gjeneruar nga Goldman Sachs. Bëni kujdes, pasi ky algoritëm ka përcaktuar edhe se cila do të jetë skuadra që do të ngrejë Kupën e Botës 2018.

Banka e famshme ndërkombëtare ka zhvilluar një algoritëm të veçantë, që furnizohet me “Big Data” dhe i “automatizuar” nga “machine learning”, për të parashikuar jo vetëm se cila Kombëtare do ta fitojë kompeticionin në Rusi, por për të kuptuar edhe se si do të shkojë çdo ndeshje në Botërorin e Futbollit, nga faza e grupeve e deri te finalja.

Sistemi i Inteligjencës Artificiale të Goldman Sachs përcakton skuadrat që do të kalojnë fazën e grupeve dhe si rrjedhojë, sipas këtij tij, çiftet e fazës së 1/8-ave në Rusi 2018 do të jenë: Francë-Islandë, Uruguai-Spanjë, Brazil-Meksikë, Belgjikë-Poloni, Portugali-Arabi Saudite, Argjentinë-Australi, Gjermani-Zvicër dhe Kolumbi-Angli.

Duke shfrytëzuar të njëjtat të dhëna, Goldman Sachs ka parashikuar edhe rezultatin e ndeshjeve me eliminim direkt, e deri aty sa të përcaktojë se cila do të jetë fituesja e këtij kampionati. Dhe, e kotë ta themi, nuk ka surpriza të mëdha.

Banka parashikon se në çerekfinale do të luhen këto ndeshje Francë-Spanjë; Brazil-Belgjikë; Portugali-Argjentinë dhe Gjermani-Angli. Fituesit e ndeshjeve Francë-Brazil dhe Portugali-Gjermani do të përballen në gjysmëfinale.

Sipas Goldman Sachs, Brazili është skuadra që do të fitojë Kampionatin Botëror Rusi 2018. Për amerikanojugorët, ky do të ishte titulli i gjashtë botëror. Zhvilluesit e algoritmit bënë të ditur që kanë marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm për të simuluar vazhdimësinë e kompeticionit. Nga kartonët e mundshëm te stadiumet ku do të luhen ndeshjet, për të arritur te numri i golave të shënuar apo të pësuar nga secila skuadër. Nga kjo analizë, del se Brazili do të ndeshet në finale kundër Gjermanisë, Kampiones së Botës në fuqi, dhe do ta fitojë atë me rezultatin 1,7 me 1,4 (rreth 2 me 1 në rastin se do të donit të luanit një skedinë me rezultatin e saktë të finales së Botërorit të Futbollit 2018).

Algoritëm tjetër, rezultat tjetër

Nëse do të vini skedina herë pas here, megjithatë ju këshillojmë të tregoheni të kujdesshëm. Një analizë e kryer nëpërmjet “Big Data” nga kërkuesit e Technical University të Dortmundit, ka dhënë rezultate të ndryshme nga studimi i Goldman Sachs. Duhet thënë se edhe për studiuesit gjermanë, finalja do të jetë Brazil-Gjermani, vetëm se në këtë rast, është Gjermania ajo që fiton Botërorin 2018.

Për të parashikuar fitoren e skuadrës së Gjermanisë, e cila drejtohet nga Joachim Löw, studiuesit e Technical University të Dortmundit kanë përdorur teknikën “Random Decision Forests”, një qasje matematikore dhe statistikore që i ka lejuar të krahasojnë parametra të ndryshëm: nga renditja e FIFA-s, te mosha mesatare e lojtarëve dhe vlera e çdo skuadre në treg. Në këtë rast, finalen e Botërorit do ta fitojë Gjermania, me rezultat të ngjashëm me atë të parashikuar nga Goldman Sachs, por i përmbysur. Gjermanët kanë 64% probabilitet të fitojnë Kupën e Botës, ndërsa brazilianët, 36%.

/monitor.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment