Ministri turk: Turqia, e tradhtuar nga krerët e BE-së

Ministri turk: Turqia, e tradhtuar nga krerët e BE-së

22:05, 14/09/2017
A+ Aa A-

Turqia ndihet e tradhtuar nga disa udhëheqës të Bashkimit Europian, të cilët kanë bërë thirrje për ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit, por turqit ende shpresojnë t’i bashkohen bllokut europian, ka deklaruar këtë të enjte ministri turk për BE-në, Omer Çelik.


Bashkimi Europian është bërë gjithnjë e më kritik ndaj kursit të anëtarësimit të Turqisë, që kur presidenti Recep Tayyip Erdogan nisi goditjen e kritikëve të tij, përfshi këtu gazetarë e akademikë, pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.

Erdogan akuzoi Berlinin për “taktika naziste” në mars të këtij viti, kur qeveria gjermane ndaloi ministrat turq të mbanin fjalime nëpër mitingje përpara komunitetit turk në Gjermani.

Kancelarja Angela Merkel tha gjatë debatit televiziv të 10 ditëve më parë se, ishte e qartë që Turqia nuk do t’i bashkohet BE-së dhe se bisedimet duhet të marrin fund, pavarësisht se Ankaraja është një aleate kyçe në NATO.

Çelik qortoi udhëheqësit e BE-së për deklaratat e bëra mbi anëtarësimin e Turqisë dhe tha se disa prej tyre, siç është edhe Merkel, kanë përdorur kritikat për të hequr vëmendjen nga problemet e brendshme të Bashkimit Europian, si “Brexit”, emigracioni apo reformat.

“Ata i lanë mënjanë të gjitha këto dhe nxitën antagonizmin kundrejt Turqisë, në mënyrë që të mbulonin problemet e tyre të brendshme jetike”, tha Çelik në një intervistë për “Reuters”. “Ne sigurisht që jemi të zhgënjyer nga Merkel dhe disa të tjerë në BE. Kjo, sepse në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë, ne u lamë të vetëm nga miqtë dhe aleatët tanë”, tha ai.

I pyetur nëse Turqia ndihet e tradhtuar, ai u përgjigj shkurt dhe qartë: Po!

Tentativa e dështuar për grusht shteti, gjatë së cilës u vranë 260 persona teksa disa ushtarë të pandershëm morën avionë luftarakë, helikopterë dhe tanke me synimin për të marrë pushtetin me forcë, ka thelluar mosmarrëveshjet mes Ankarasë dhe aleatëve të saj perëndimorë.

Zyrtarët turq thanë se disa prej aleatëve të perëndimit ishin shumë të ngadalshëm në shfaqjen e solidaritetit me Erdoganin, pas grushtit që ishte i mirëplanifikuar dhe që synonte rrëzimin e demokracisë turke.

Që prej atëherë, rreth 50 mijë njerëz, përfshi gazetarë, opozitarë, shërbyes civilë dhe të tjerë, janë prangosur. Mësymja alarmoi grupet e të drejtave të njeriut dhe disa nga aleatët perëndimorë të Turqisë.

Çelik tha gjithashtu se udhëheqës të BE-së, si Merkeli, kanë dështuar të mbajnë premtimet e tyre ndaj Turqisë sa i përket përpjekjeve për anëtarësim që kanë nisur nga viti 1987, me aplikimin për t’iu bashkuar asokohe Komunitetit Ekonomik Europian (EEC). Megjithatë negociatat për anëtarësim të Turqisë nisën vetëm në vitin 2005.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco