Një alarm i pazakontë është regjistruar këtë të enjte në Pentagon, ku disa kate dhe korridore të ndërtesës janë mbyllur, ndërsa zona të tjera janë evakuuar pas zbulimit të një problemi serioz me cilësinë e ajrit.
Autoritetet amerikane kanë aktivizuar menjëherë protokollet e emergjencës, ndërsa ekipet e specializuara për materialet e rrezikshme kanë zbarkuar në vendngjarje për të hetuar natyrën e incidentit.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se sistemet e monitorimit kanë identifikuar një problem me cilësinë e ajrit, duke detyruar drejtuesit e institucionit të marrin masa të menjëhershme paraprake.
“Departamenti po zbaton protokollet standarde të mbrojtjes, duke përfshirë urdhrin për strehim në vend për zonën e prekur. Ekipet e reagimit ndodhen në terren dhe janë të gatshme të mbështesin personelin e ndërtesës”, deklaroi ai.
Sipas autoriteteve lokale, në operacion janë përfshirë Ekipi i Reagimit ndaj Materialeve të Rrezikshme i Agjencisë së Mbrojtjes së Forcave të Pentagonit, si dhe Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Arlington.
Një mesazh i shpërndarë nga shërbimet e sigurisë së Pentagonit paralajmëron se nevojiten testime të mëtejshme për të përcaktuar burimin e problemit, procedurë që mund të zgjasë deri në dy orë.
“Personeli mund të vërejë praninë e ekipeve të reagimit nga agjenci të ndryshme dhe aktivitet të shtuar në oborrin qendror të Pentagonit. Ju lutemi të mos i interpretoni këto aktivitete”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Deri tani nuk ka informacion për persona të lënduar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një rrjedhje të substancave të rrezikshme apo për një problem teknik në sistemet e ventilimit të ndërtesës më të rëndësishme ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
© SYRI.net