FCAS: Dështim për projektin më të madh ushtarak të Evropës

FCAS: Dështim për projektin më të madh ushtarak të Evropës

11:46, 09/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Çfarë ishte planifikuar në projektin FCAS?

Shkurtesa FCAS qëndron për "Future Combat Air System” dhe synonte të ishte projekti më i madh dhe më i kushtueshëm evropian i armatimit deri më tani, i realizuar në bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Francës. Edhe Spanja duhej të merrte pjesë në projekt.

Pika qendrore: zhvillimi i një avioni të ri luftarak, i cili më së voni deri në vitin 2040 do të zëvendësonte "Eurofighter”-ët që përdoren nga Gjermania dhe Spanja, si dhe avionët luftarakë francezë "Rafale”.

Gjithashtu, ishte planifikuar zhvillimi i sistemeve luftarake pa pilot, pra dronëve, si dhe i të ashtuquajturës "Combat Cloud” – një sistem komunikimi për të lidhur dhe koordinuar avionët luftarakë me sistemet pa pilot.

Pse dështoi plani për avionin luftarak?

Fund i projektit të përbashkët për avionin luftarak nuk lidhet aq shumë me mosmarrëveshje politike, sa me grindje ekonomike – konkretisht midis partnerit gjerman Airbus dhe kompanisë franceze Dassault. Në thelb, konflikti kishte të bënte me pyetjen se kush do të kishte rolin drejtues në projekt.

Dassault e pretendonte këtë rol për veten, megjithëse fillimisht ishte rënë dakord për një bashkëpunim në nivel të barabartë. Por shefi i Dassault, Éric Trappier, për muaj të tërë këmbënguli vazhdimisht se vetëm Dassault zotëronte kompetencën thelbësore për projektin dhe se, për rrjedhojë, kompanisë së tij i takonte roli i arkitektit kryesor.

Gjermania dhe Franca u përpoqën të ndërmjetësonin në konfliktin mes kompanive, madje kishin provuar edhe me ndërmjetësim zyrtar – por në fund pa sukses. Sipas burimeve nga qeveria federale, kancelari Friedrich Merz dhe presidenti Macron arritën në vlerësimin e përbashkët se kompanitë Dassault dhe Airbus nuk do të mund të gjenin gjuhë të përbashkët për projektin. Prandaj, Merz i kishte sugjeruar Macronit që të mos vazhdohej më me ndërtimin e një avioni luftarak të përbashkët. Pak orë më vonë erdhi edhe konfirmimi nga Pallati Élysée në Paris: "Autoritetet gjermane janë të mendimit se nuk ishte e mundur të ushtrohej më shumë presion mbi kompanitë e përfshira.”

Çfarë do të thotë ky dështim për Bundeswehr-in?

Bundeswehr-i tani ka nevojë për një plan të dytë për zëvendësimin e planifikuar të avionit luftarak "Eurofighter”. Në kërkim të partnerëve të rinj për ndërtimin e një avioni të ri luftarak, Britania e Madhe me gjasë del jashtë loje. Mbretëria e Bashkuar tashmë është e angazhuar në një projekt tjetër – ajo po bashkëpunon me Japoninë dhe Italinë në kuadër të programit Global Combat Air Programme (GCAP).

Një mundësi për një partner të ri në ndërtimin e një avioni të ri luftarak mund të jetë Suedia, me kompaninë e saj të industrisë së mbrojtjes Saab. Ky vend ka përvojë të konsiderueshme në ndërtimin e avionëve ushtarakë. Po ashtu si zgjidhje të përkohshme, Forcat Ajrore mund të blejnë gjithashtu avionë shtesë të tipit amerikan F‑35, siç raporton revista Spiegel.

Si reagoi politika gjermane?

Në radhët e koalicionit CDU/CSU–SPD, vendimi për të hequr dorë nga projekti i avionit luftarak mbrohet si hapi i duhur. Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, Thomas Röwekamp, shprehu keqardhje për dështimin e projektit. Njëkohësisht, ai theksoi se është pozitive që, pas viteve me bllokada dhe pasiguri, tani ka më në fund qartësi, deklaroi politikani i CDU-së për Rheinische Post. Tani duhet të kërkohen partnerë të rinj. "Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar bashkëpunime të reja dhe të qëndrueshme në nivel të barabartë, që forcojnë përparimin teknologjik dhe sovranitetin industrial të Evropës”, tha Röwekamp.

Kritika ndaj dështimit të avionit luftarak FCAS vjen nga opozita. Kryetarja e Partisë së Gjelbër, Franziska Brantner, e cilësoi këtë si një "goditje të rëndë për politikën evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes në një botë gjithnjë e më të rrezikshme”.

Ajo e bëri gjithashtu përgjegjëse pjesërisht edhe qeverinë federale për dështimin e projektit. Sipas saj, "kur industria bllokon, është detyra e politikës të tregojë lidership dhe ta imponojë atë”, theksoi ajo për Handelsblatt./ DW/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco