Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 që goditi Filipinet është rritur në të paktën 41 persona, ndërsa më shumë se 450 të tjerë kanë mbetur të plagosur, sipas autoriteteve provinciale të cituara nga AFP.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e personave të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur në qytetin General Santos, një nga zonat më të prekura nga lëkundjet e forta sizmike.
Sipas autoriteteve lokale, të paktën dy persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, ndërsa një tjetër është gjetur pa shenja jete. Ndërkohë, disa persona rezultojnë ende të zhdukur.
Tërmeti u ndje fuqishëm në ishullin Mindanao, duke shkaktuar shembje ndërtesash, dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. Në shumë rrugë janë raportuar mbeturina, shtylla dhe linja elektrike të rrëzuara, si dhe dëme të mëdha materiale.
Familjarët e të zhdukurve po përjetojnë momente ankthi, ndërsa ekipet e emergjencës punojnë në kushte të vështira për të arritur te personat e mbetur nën rrënoja. Autoritetet filipinase kanë nisur inspektimin e ndërtesave të dëmtuara dhe kanë ngritur qendra të posaçme ndihme për të plagosurit. Për shkak të dëmtimeve në disa struktura shëndetësore, një numër i madh pacientësh është transferuar në spitale fushore.
Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë i Filipineve ka regjistruar mbi 20 lëkundje pasuese, mes tyre edhe një me magnitudë 6.7, duke rritur frikën te banorët dhe duke detyruar shumë familje të kalojnë natën jashtë banesave të tyre.
Filipinet ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një nga rajonet më aktive sizmike në botë, ku tërmetet dhe aktiviteti vullkanik janë të shpeshta. Fatkeqësia e fundit vjen vetëm pak muaj pas një tjetër tërmeti vdekjeprurës në vend, duke rikthyer shqetësimet për përgatitjen dhe reagimin ndaj katastrofave natyrore.
© SYRI.net