Zelensky i dërgon letër Putinin/ Kievi kërkon dialog, Moska këmbëngul te ‘kompromiset e Alaskës’

Zelensky i dërgon letër Putinin/ Kievi kërkon dialog, Moska këmbëngul te ‘kompromiset e Alaskës’

07:59, 05/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ndërmarrë një nismë të re diplomatike duke i dërguar një letër Vladimir Putinit, ku propozon një takim të drejtpërdrejtë në një vend neutral, si Zvicra, Turqia ose një shtet arab, si dhe një armëpushim të plotë gjatë zhvillimit të negociatave.

Në letër, Zelensky propozon gjithashtu një shkëmbim të të burgosurve sipas formulës “të gjithë për të gjithë” dhe kthimin e civilëve dhe fëmijëve ukrainas që sipas Kievit janë transferuar në Rusi.

Megjithatë, nisma e presidentit ukrainas shihet jo vetëm si një ftesë për dialog, por edhe si një përpjekje për të rritur presionin diplomatik ndaj Moskës. Mesazhi i tij duket se synon jo vetëm Kremlinin, por edhe shoqërinë ruse, zyrtarët dhe qarqet ekonomike që po përballen me pasojat e zgjatjes së luftës.

Një nga pikat më të rëndësishme të letrës është referenca ndaj takimit Trump-Putin në Anchorage të Alaskës në gusht të vitit 2025. Zelensky thekson se “çështjet ukrainase dhe evropiane nuk zgjidhen në Anchorage”, duke kundërshtuar idenë se e ardhmja e Ukrainës mund të vendoset pa pjesëmarrjen e Kievit në tryezën e negociatave.

Nga ana tjetër, Vladimir Putin ka deklaruar se është i gatshëm për negociata, por vetëm nëse Ukraina pranon disa “kompromise”, të cilat sipas Kievit përfshijnë lëshime territoriale në rajonin e Donbasit. Kjo mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjes mes palëve.

Ndërsa Rusia pretendon se kontrollon të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesën më të madhe të Donetskut, analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se avancimi rus në terren është ngadalësuar, duke e shtyrë Moskën të mbështetet më shumë te sulmet ajrore dhe raketore.

Në këtë kontekst, letra e Zelenskyt konsiderohet më shumë si një kundërsulm diplomatik sesa si një hap i drejtpërdrejtë drejt paqes. Ukraina kërkon që negociatat të nisin me armëpushim, ndërsa Rusia këmbëngul që fillimisht të pranohen kushtet që ajo i konsideron themelore për një marrëveshje.

Analistët vlerësojnë se një marrëveshje e plotë paqeje mbetet ende e vështirë për t’u arritur. Megjithatë, ekzistojnë mundësi për një armëpushim të përkohshëm, takime në vende neutrale dhe intensifikim të përpjekjeve diplomatike me përfshirjen e SHBA-së, Evropës, Turqisë dhe vendeve të Gjirit.

Për momentin, skenari më i mundshëm mbetet vazhdimi paralel i përpjekjeve diplomatike dhe operacioneve ushtarake, ndërsa paqja e qëndrueshme duket ende larg realizimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco