Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se ‘shumë shpejt’ brenda 2 ditësh punonjësit federalë mund të fillojnë të humbasin vendet e punës, ndërsa bllokimi i qeverisë amerikane vazhdon.
Në konferencën për median Leavitt tha se presidenti ka kërkuar nga kabineti dhe zyra e buxhetit e Shtëpisë së Bardhë të hartojnë një plan dhe se shkurtimet janë “të afërta”.
Në konferencë për median mori pjesë edhe zëvendëspresidenti JD Vance, i cili tha se nuk e di sa do të zgjasë ky bllokim, duke fajësuar demokratët në Kongres për mungesën e financimeve.
“Nëse ata (Demokratët) janë kaq të shqetësuar për ndikimin që kjo ka te qytetarët amerikanë – dhe ata duhet të jenë – atëherë ajo që duhet të bëjnë është të rihapin qeverinë. Jo të ankohen për mënyrën se si ne po veprojmë” tha Vance.
Zëvendëspresidenti, i cili është kryetar i Senatit, u pyet nga një reporter se çfarë po bën personalisht për të bindur demokratët të votojnë pro një projektligji për shpenzimet.
Ai tha se ai dhe Trump kanë biseduar me shumë ligjvënës nga të dyja palët, dhe disa duan të zhvillojnë diskutime me mirëbesim mbi “nevojat kritike”.
Të tjerë pohojnë se nuk do të heqin dorë deri sa të marrin atë që duan, thotë Vance.
Vance tha se mbrëmë arritën të bindin tre demokratë të tjerë të ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe tani u nevojiten pesë të tjerë për të rihapur qeverinë.
Demokratët, nga ana e tyre, fajësojnë republikanët.
Presidenti Donald Trump paralajmëroi për shkurtime “të pakthyeshme” masive, teksa të dyja palët politike ia hedhin fajin njëra-tjetrës për krizën. Mijëra punonjës federalë rrezikojnë të dërgohen me leje pa pagesë, ndërsa disa punonjës esencialë që duhet të vijojnë punën mund të mbeten pa rroga. Ndërkohë, politikanët në Kongres do të vazhdojnë të marrin pagën e tyre.
Një punonjës federal në sistemin e burgjeve i tha BBC-së: “Të mbajnë rrogat tona peng deri sa të arrijnë një kompromis, është të luash me jetët e miliona njerëzve.”
© SYRI.net