Rusia po punon për të forcuar më tej forcat e saj të armatosura, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, në një reagim ndaj komenteve të fundit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili u shpreh se SHBA duhet të përgatitet për luftë për të ruajtur paqen.
“Ne gjithashtu preferojmë të forcojmë forcat tona të armatosura në çdo mënyrë të mundshme, duke mbështetur paqen dhe duke mbetur të hapur për zgjidhje diplomatike, përfshirë krizën ukrainase”, tha Peskov për gazetarët në Moskë.
Në të njëjtën deklaratë, Kremlini paralajmëroi vendet evropiane për pasojat që do të sjellë çdo veprim për të konfiskuar ose përdorur asetet ruse, të ngrira nga sanksionet. Peskov i cilësoi këto veprime si “vjedhje”, që do të ndiqen penalisht dhe që, sipas tij, do të dëmtojnë depozitat dhe investimet e vetë shteteve europiane.
I pyetur për një intervistë të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për Axios, ku ky i fundit shprehet i gatshëm që në të ardhmen të kërkojë rikthimin e territoreve vetëm përmes mjeteve diplomatike, Peskov u shpreh skeptik.
“Ka një pauzë në procesin e negociatave. Ukraina vazhdon të akuzojë Rusinë për kushte të paarsyeshme, dhe nuk duket se po nxiton të rifillojë bisedimet”, u shpreh ai.
Në lidhje me situatën kritike në centralin bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin rus që nga fillimi i pushtimit, Peskov mohoi çdo përfshirje të Moskës në sulmet ndaj objektit.
“Është budallallëk të thuash që Rusia bombardon centralin që kontrollon vetë. Ne po bëjmë gjithçka për të garantuar sigurinë atje. Është Ukraina ajo që vazhdon të sulmojë,” deklaroi ai.
Centrali, më i madhi në Evropë, ndodhet prej ditësh në emergjencë energjetike, duke u mbajtur funksional përmes gjeneratorëve emergjentë me naftë, pasi linjat elektrike janë jashtë funksionit. Kievi e ka akuzuar Rusinë për bombardimet që e kanë sjellë centralin në këtë gjendje, ndërsa situata vijon të jetë një nga pikat më të nxehta të konfliktit.
© SYRI.net