Autoritetet turke kanë nisur një hetim ndaj gjigantit suedez të transmetimit të muzikës, Spotify, pas një vale kritikash në rrjetet sociale lidhur me emrat e disa listave të këngëve, të cilat janë konsideruar politikisht ose fetarisht “të pandjeshme”. Prokuroria ka hapur procedurat për dyshime mbi “fyerje të besimeve shoqërore” si dhe për sjellje të mundshme anti-konkurruese nga kompania.
Polemikat nisën pasi disa tituj listash këngësh, të gjeneruara nga përdoruesit e platformës, u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale, duke shkaktuar reagime të ashpra nga qarqet konservatore dhe pro-qeveritare. Një ndër listat që ndezi zemërimin ishte ajo me titullin “Këngët që dëgjon Emine Erdogan ndërsa pastron pallatin”, që u konsiderua si një tallje me Zonjën e Parë të Turqisë. Reagimet kulmuan me një fushatë në rrjetin social X (ish-Twitter), ku përdoruesit kërkuan ndalimin e Spotify dhe ndërhyrje të qeverisë.
Zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Batuhan Mumcu, akuzoi Spotify se përmban përmbajtje që “synon vlerat tona fetare dhe kombëtare” dhe “fyejnë besimet e shoqërisë sonë”. Ai shtoi se lista të tilla minojnë unitetin shoqëror dhe janë të papajtueshme me normat morale të vendit. Veçanërisht problematike u konsideruan edhe dy lista me tituj që përmendin Profetin Muhamed në kontekste satirike.
Përballë presionit në rritje, Spotify i tha gazetës britanike The Times se po shqyrton pezullimin e përkohshëm të shërbimeve të saj në Turqi ose edhe tërheqjen e plotë nga ky treg. “Nuk ishim të përgatitur për censurimin e përdoruesve tanë,” deklaroi një zëdhënës i kompanisë, duke shtuar se Spotify po përpiqet të bashkëpunojë me autoritetet turke për të gjetur një zgjidhje.
Aktualisht, Spotify ka më shumë se 12 milionë përdorues aktivë mujorë në Turqi dhe është një nga platformat më të përdorura për transmetim muzikor në vend. Megjithatë, situata e fundit ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e pranisë së saj në një nga tregjet më të mëdha të saj në Lindjen e Mesme.
© SYRI.net