Detyruan nxënëset të zhvisheshin për të kontrolluar ciklin menstrual, arrestohen drejtuesit e shkollës

Detyruan nxënëset të zhvisheshin për të kontrolluar ciklin menstrual, arrestohen drejtuesit e shkollës

20:10, 10/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një incident tronditës në një shkollë në Thane, pranë Mumbait, ka çuar në arrestimin e një drejtoreshe dhe një asistenteje pas akuzave se dhjetëra nxënëse janë detyruar të zhvishem lakuriq për një kontroll menstrual, pasi u gjetën njolla gjaku në një mur tualeti. Prindërit e vajzave protestuan të mërkurën duke kërkuar ndëshkime të rrepta për autoritetet arsimore.

Sipas hetimeve të para, rreth 10 deri në 15 vajza që mohuan të ishin me menstruacione u dërguan në tualet, ku u detyruan të zhvisheshin dhe iu nënshtruan një kontrolli poshtërues. Një nga nënat ngriti padi në polici, duke nxitur ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.

Policia ka ngritur akuza të rënda, përfshirë fyerjen e modestisë së femrave dhe nene të Aktit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Veprat Seksuale (POCSO). Në total, përmenden edhe katër mësues të tjerë dhe dy administratorë të tjerë si të përfshirë në incident.

Zyrtarët deklaruan se gjatë një mbledhjeje në sallën e shkollës, nxënëset u përballën me imazhe të gjakut të gjetur në tualet dhe iu kërkua të deklaronin publikisht nëse kishin menstruacione. Vajzat që thanë se po përjetonin ciklin u regjistruan përmes gjurmëve të duarve, ndërsa të tjerat u nënshtruan kontrollit të detyruar fizik.

Në një video të publikuar nga BBC, drejtoresha shihet duke debatuar me prindërit, duke mohuar urdhërimin apo zhvillimin e një kontrolli të tillë. Por prindërit shprehen të bindur për abuzimin, duke treguar se vajzat e tyre ndihen të traumatizuara dhe të poshtëruara.

Ky rast ka ringjallur debatet për tabu-në e thellë rreth menstruacioneve në Indi, ku vajzat dhe gratë shpesh përjashtohen nga aktivitete sociale dhe fetare gjatë ciklit menstrual. Ngjarje të ngjashme janë raportuar më parë, përfshirë raste në vitin 2017 dhe 2020, ku dhjetëra vajza janë detyruar të zhvishem për arsye të ngjashme.

Prindërit kanë kërkuar ndërhyrje të ashpër nga qeveria, ndërsa aktivistët për të drejtat e grave theksojnë nevojën për edukim dhe ndërgjegjësim, për të çrrënjosur një mentalitet diskriminues që ende mbizotëron në shumë pjesë të vendit./ BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco