Analistët politikë francezë theksojnë se Emmanuel Macron mund të jetë përsëri kandidat për president të Francës në vitin 2032.
Aktualisht, ai nuk mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 2027-ës, pasi kushtetuta franceze lejon vetëm dy mandate presidenciale radhazi. Megjithatë, nëse dëshiron, Macron ka të drejtë të garojë për një mandat të tretë në 2032, kohën kur do të jetë 54 vjeç.
Këto spekulime u ndezën pas fjalimit të presidentit Macron ndaj rinisë së partisë së tij të shtunën e kaluar, ku tha: "Ju dua pranë meje për dy vitet e ardhshme, për pesë vitet e ardhshme, për dhjetë vitet e ardhshme."
Analistët mendojnë se kjo deklaratë është një sinjal i qartë që i kufizon ambiciet e sekretarit të përgjithshëm të partisë “Renaissance”, ish-kryeministrit Gabriel Attal. Marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar pas vendimit të Macron për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor 2024.
Në historinë moderne politike të Francës, vetëm Valéry Giscard d’Estaing (1974-1981) dhe Nicolas Sarkozy (2007-2012) kanë tentuar të rizgjidhen pas përfundimit të mandatit të tyre presidencial, por kanë dështuar.
© SYRI.net