Niveli i ujit në 25 lumenj të jugperëndimit të Kinës ka kaluar sot kufijtë e sigurisë dhe më shumë se 10.000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, pasi mbetjet e tajfunit Danas u bashkuan me shirat musonike në Azinë Lindore.
Reshjet ekstreme dhe përmbytjet e rënda, të cilat meteorologët i lidhin me ndryshimet klimatike, paraqesin sfida gjithnjë e më të mëdha, pasi ekziston rreziku që sistemet e vjetruara kundër përmbytjeve të mos përballojnë, miliona njerëz të zhvendosen dhe të dëmtohet rëndë sektori bujqësor, i cili gjeneron 2.8 trilionë dollarë.
Shira të rrëmbyeshëm ranë edhe në Pekin, një zonë e lagjes së madhe Chaoyang regjistroi 68.2 milimetra shi brenda një ore në mëngjes, raportoi gazeta shtetërore ‘Beijing Daily’.
Në jugperëndim, dhjetë lumenj, përfshirë Longjian që kalon nëpër rajonin me dendësi të lartë të popullsisë Chongqing, mund të përmbyten në çdo moment, pasi digat rrezikojnë të çahet, paralajmëroi rrjeti televiziv shtetëror CCTV duke cituar Ministrinë e Burimeve Ujore. Në 15 lumenjtë e tjerë niveli i ujit është gjithashtu i lartë, por rreziku konsiderohet më i vogël.
Pas 24 orësh reshjesh të dendura, niveli i lumit Qishui, në provincën Guizhou, u ngjit në nivelin më të lartë të regjistruar që nga viti 1953, kur nisën matjet.
Lumi Xiaochao, në provincën Sichuan, është gjithashtu në nivelin më të lartë të 29 viteve të fundit.
Më shumë se 10.000 njerëz u evakuuan të mërkurën nga qytete në provincat Sichuan dhe Yunnan, raportuan mediat shtetërore.
Një rreth në Yunnan regjistroi 227.8 milimetra shi në 24 orë, një rekord ditor që nga viti 1958, ndërsa dy persona humbën jetën në qytetin Zhaotong të Yunnan-it, raportoi agjencia Xinhua.
Autoritetet shëndetësore të Pekinit paralajmërojnë se kombinimi i reshjeve të shpeshta, temperaturave të larta dhe lagështisë rrit rrezikun e ndotjes së ujit dhe ushqimeve. Syri.net-Protothema
© SYRI.net