Rrjeti hekurudhor evropian do të zgjerohet më tej duke nisur nga 1 maji i vitit 2026, me nisjen e linjës direkte të trenit nga Praga në Kopenhagë përmes Berlinit. Iniciativa është një bashkëpunim midis Deutsche Bahn (DB), Hekurudhave Daneze (DSB) dhe atyre Çeke (ČD), që synon të ofrojë një udhëtim të përditshëm dhe të shpejtë, me vetëm shtatë orë nga Berlini në Kopenhagë dhe njëmbëdhjetë orë nga Praga në kryeqytetin danez.
Linja do të shërbehet nga trenat modernë ComfortJet, të cilët ofrojnë lehtësira të avancuara si vagon restorant, kinema për fëmijë, Wi-Fi, hapësirë për biçikleta, ashensorë për karrige me rrota dhe dritare të përçueshme për sinjalin mobil. Kapaciteti i tyre është deri në 555 pasagjerë. Gjithashtu, gjatë verës do të zgjatet një shërbim nate që lidh Pragën, Hamburgun dhe Kopenhagën.
Ky projekt është pjesë e një nisme më të gjerë të Komisionit Evropian, që ka përzgjedhur dhjetë itinerare pilot për të përmirësuar udhëtimet hekurudhore ndërkufitare dhe për të reduktuar varësinë nga fluturimet me distanca të shkurtra. “Hekurudha po e afron gjithnjë e më shumë Evropën,” u shpreh Michael Peterson nga DB, duke theksuar rëndësinë e investimeve në shërbime të qëndrueshme dhe cilësore.
Paralelisht, në të gjithë kontinentin, ringjallja e trenave po vijon me ritme të shpejta. Lidhje të reja si Vilnius-Riga-Talin, Varshavë-Split, si dhe rikthimi i linjës Espresso Riviera që lidh Romën me Rivierën Franceze, janë dëshmi të rritjes së kërkesës për udhëtime të gjelbra dhe komode.
Megjithatë, sfidat mbeten. Sistemet e ndryshme të biletimit, mungesa e platformave të përbashkëta rezervimi dhe ndryshimet në infrastrukturë vazhdojnë të pengojnë përparimin. Por BE-ja është optimiste. Komisioneri për transportin dhe turizmin e qëndrueshëm, Apostolos Tzitzikostas, e cilësoi lidhjen Praga-Kopenhagë si “një shembull të fortë progresi”.
Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, theksoi se ky zhvillim nuk sjell përfitime vetëm për udhëtarët: “Është një hap i rëndësishëm në dekarbonizimin e sektorit të transportit të Evropës.”
© SYRI.net