Rusia ka rritur ndjeshëm intensitetin e sulmeve ajrore kundër Ukrainës, duke lëshuar më shumë dronë në dhjetë ditët e para të korrikut sesa në të gjithë muajin qershor. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë periudhë janë lëshuar 2,516 dronë dhe karrema të tipit Shahed, krahasuar me 2,453 gjatë gjithë muajit të kaluar, duke treguar një përshkallëzim të qartë të strategjisë ushtarake të Moskës. Sulmet janë kryer çdo natë, me objektiva të shumta në mbarë vendin, përfshirë kryeqytetin Kiev, që është goditur në mënyrë të vazhdueshme.
Gjatë natës së së enjtes, Rusia ka sulmuar me 397 dronë kamikazë, shumë prej të cilëve rezultuan të ishin karrema të përdorur për të hutuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, janë lëshuar edhe tetë raketa balistike Iskander-M, gjashtë raketa kruz Kh-101 dhe katër raketa të mbrojtjes ajrore të telekomanduara S-300. Autoritetet ukrainase konfirmojnë se të gjitha raketat balistike që synonin Kievin janë rrëzuar, por në sulme të tjera, si në qytetin perëndimor të Lutsk, gjashtë raketa Kinzhal arritën të shmangin mbrojtjen për shkak të mungesës së sistemeve moderne si Patriot.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e cilësoi këtë si një “përshkallëzim të qartë të terrorit nga Rusia”, duke theksuar përdorimin masiv të dronëve Shahed dhe sulmeve ajrore ndaj civilëve. Në muajin qershor, sipas OKB-së, Ukraina ka përjetuar numrin më të lartë të viktimave civile brenda një muaji që nga fillimi i luftës: 232 të vrarë dhe 1,343 të plagosur.
Ndërkohë, Zelenskyy ndodhet në Itali për Konferencën Dyditore të Rimëkëmbjes së Ukrainës (URC), ku pritet të diskutohet jo vetëm për rindërtimin, por edhe për mbështetjen urgjente ajrore. Presidenti ukrainas tha se do të kërkojë fonde shtesë për prodhimin e dronëve interceptues dhe furnizimin me sisteme mbrojtëse ajrore, ndërsa janë parashikuar takime me përfaqësues amerikanë për sanksione të reja ndaj Rusisë.
Zelenskyy është takuar gjithashtu me Papa Leo XIV, i cili ka rikonfirmuar gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të ndërmjetësuar bisedime paqeje midis palëve. Megjithëse Kremlini ka hedhur poshtë Vatikanin si vend negociatash, mungesa e progresit në raundet e mëparshme në Stamboll ka rritur shanset që Kievi të kërkojë një alternativë diplomatike. Raundi i tretë i bisedimeve, i planifikuar për fundin e qershorit, ende nuk është zhvilluar.
© SYRI.net