Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është rikthyer në paraburgim pas miratimit të një urdhër-arresti të ri nga Gjykata Qendrore e Seulit të enjten në mëngjes, si pjesë e një hetimi të pavarur lidhur me shpalljen e gjendjes ushtarake në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas ekipit të prokurorëve të pavarur që drejtojnë hetimin, rikthimi i Yoon në qeli u vendos për shkak të shqetësimeve mbi mundësinë e shkatërrimit të provave.
Deklarata tronditëse e Yoon për shpalljen e gjendjes ushtarake, e cila zgjati vetëm gjashtë orë përpara se të anulohej nga parlamenti, e futi vendin në një krizë kushtetuese dhe u dënua gjerësisht si një sulm ndaj demokracisë.
Ligjvënësit depërtuan me forcë në ndërtesën e parlamentit dhe votuan unanimisht për ta bllokuar dekretin.
Yoon u arrestua fillimisht në janar, i akuzuar për kryesim rebelimi, duke u bërë presidenti i parë në historinë e Koresë së Jugut që ndalohet ndërkohë që ndodhet ende në detyrë. Në mars, gjykata anuloi përkohësisht urdhër-arrestin për arsye teknike dhe ai u lirua.
Në prill, Gjykata Kushtetuese votoi unanimisht për shkarkimin e Yoon nga detyra, duke e quajtur veprimin e tij “një tradhti të rëndë ndaj besimit të popullit.”
Që prej asaj kohe, Yoon përballet me disa hetime penale. Prokuroria e pavarur e ka akuzuar për abuzim me pushtetin dhe pengim të funksioneve zyrtare. Sipas një dokumenti të rrjedhur të kërkesës për urdhër-arrest, Yoon dyshohet se shpalli gjendjen ushtarake për të kapërcyer bllokimin politik që kishte shkaktuar shumica e opozitës në Asamblenë Kombëtare dhe për shkak të procesit të shkarkimit të disa zyrtarëve të lartë.
Ai akuzohet gjithashtu për dërgimin e trupave ushtarake për të bllokuar hyrjen e ligjvënësve në ndërtesën e parlamentit me qëllim anulimin e dekretit dhe për urdhra që përfshijnë “thyerjen e dyerve” dhe “tërheqjen me forcë të deputetëve, edhe nëse kërkohej përdorimi i armëve.”
Avokatët e Yoon mohojnë që ai të ketë dhënë urdhra për përdorim të armëve zjarri. Gjithashtu, ai akuzohet për urdhërimin e arrestimit të figurave kyçe politike, përfshirë liderin e atëhershëm të opozitës, Lee Jae-myung, i cili tani është president i vendit.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Yoon kishte urdhëruar shërbimin e sigurisë presidenciale të fshihte regjistrimet e komunikimeve të realizuara përmes telefonëve të sigurt pas anulimit të gjendjes ushtarake.
Sipas hetuesve, Yoon ka penguar edhe ekzekutimin e urdhrave të hetimit të Zyrës së Hetimit për Korrupsionin (CIO) në dhjetor dhe janar, duke mobilizuar truprojat presidenciale dhe duke autorizuar përdorimin e forcës.
Avokatët e tij e kanë quajtur kërkesën për arrest “të nxituar dhe të pabazuar,” duke theksuar se hetimi është i njëanshëm dhe me prapavijë politike. Sipas tyre, pyetjet gjatë marrjes në pyetje kanë qenë të një niveli të thjeshtë dhe urdhri i arrestit nuk përmban akuza për tradhti ndaj shtetit.
Ata shtuan se shumica e të dyshuarve të tjerë janë tashmë të arrestuar dhe po përballen me gjyq, ndaj nuk ka rrezik për shkatërrimin e provave.
Hetimi i pavarur ndaj Yoon nisi pas shkarkimit të tij nga detyra dhe zgjedhjes së presidentit të ri, Lee Jae-myung, në zgjedhjet e parakohshme të qershorit.
© SYRI.net