Bashkëpunëtorja më e afërt e Elon Musk jep dorëheqjen nga posti i drejtoreshës ekzekutive të 'X'

Bashkëpunëtorja më e afërt e Elon Musk jep dorëheqjen nga posti i drejtoreshës ekzekutive të 'X'

07:18, 10/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Linda Yaccarino, drejtoresha ekzekutive e platformës së mediave sociale “X” dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Elon Musk, ka dhënë dorëheqjen e saj pas dy vitesh në krye të kompanisë. Lajmi u konfirmua përmes një postimi personal në platformë këtë të mërkurë.

“Kur unë dhe Elon Musk folëm për herë të parë rreth vizionit të tij për X, e dija se do të ishte mundësia e jetës për ta sjellë në jetë misionin e jashtëzakonshëm të kësaj kompanie,” shkroi Yaccarino në postim, duke shprehur falënderime për besimin e treguar nga Musk.

Gjatë mandatit të saj, Yaccarino udhëhoqi disa nga fazat më kritike të transformimit të “X” – që nga emërtimi i ri i platformës (ish-Twitter), deri te rikthimi i besimit të reklamuesve dhe nismat për përmirësimin e sigurisë në platformë.

“X është vërtet një shesh publik dixhital për të gjithë zërat. Ne nuk do ta kishim arritur këtë pa mbështetjen e përdoruesve, partnerëve dhe ekipit më inovativ në botë,” shtoi Yaccarino, duke theksuar se do të vijojë ta mbështesë platformën edhe në të ardhmen.

Largimi i saj vjen në një kohë kur “X” po hyn në një fazë të re zhvillimi nën ndikimin e xAI, projektit të inteligjencës artificiale të Elon Musk, që synon të integrojë teknologji të reja në platformën sociale.

Që prej blerjes së Twitter për 44 miliardë dollarë në vitin 2022, Musk ka bërë ndryshime rrënjësore në drejtimin dhe funksionimin e platformës: ka pushuar rreth 75% të stafit, ka ndryshuar politikat e moderimit dhe e ka përdorur “X” si kanal personal për mesazhe politike dhe biznesi.

Dorëheqja e Yaccarinos shihet si fundi i një kapitulli të trazuar për kompaninë dhe fillimi i një epoke të re ku Musk pritet të ketë kontroll të plotë mbi drejtimin strategjik të “X”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco