Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, arrestohet përsëri

Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, arrestohet përsëri

21:54, 09/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-presidenti konservator i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, është rikthyer në burg të enjten pas miratimit nga një gjykatë e urdhër-arrestit të lëshuar ndaj tij për përfshirjen në përpjekjen për vendosjen e ligjit ushtarak në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit pranoi kërkesën e prokurorit të posaçëm, duke theksuar rrezikun për shkatërrimin e provave nga Yoon. Kjo lëvizje i jep një shtysë hetimeve të thelluara penale që po zhvillohen ndaj tij për shpërdorim detyre, pengim të drejtësisë dhe falsifikim dokumentesh zyrtare.

Yoon, i cili u shkarkua zyrtarisht nga detyra në prill pas miratimit të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese, e kishte cilësuar shpalljen e ligjit ushtarak më 3 dhjetor si një veprim të nevojshëm për të shtypur, siç i quajti ai, “kundërshtarët liberalë anti-shtetërorë”. Por dekreti i tij zgjati vetëm disa orë, pasi ligjvënësit çanë bllokadën ushtarake në Asamblenë Kombëtare dhe e anuluan atë. Ai u shkarkua nga detyra më 14 dhjetor dhe u padit më 26 janar për tentativë rebelimi, një akuzë që mund të dënohet me burgim të përjetshëm apo edhe me vdekje.

Prokurori special Cho Eun-suk, i cili udhëheq hetimet, e ka marrë Yoon në pyetje dy herë përpara se të paraqiste kërkesën për arrest, duke përgatitur edhe akuza shtesë për përdorim të paligjshëm të forcave të sigurisë presidenciale dhe shpallje të gjendjes ushtarake pa autorizim ligjor. Yoon mund të mbahet fillimisht për 20 ditë, ndërsa hetimet përgatitin paditë e radhës që mund ta zgjasin qëndrimin e tij në paraburgim deri në gjashtë muaj.

Ndërkohë, presidenti aktual Lee Jae Myung ka miratuar legjislacion për nisjen e hetimeve të posaçme ndaj Yoon dhe zyrtarëve të administratës së tij, përfshirë bashkëshorten e ish-presidentit. Avokatët e Yoon e kanë cilësuar arrestimin si të pajustifikuar, ndërsa vetë ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë paraqitjes në gjykatë të mërkurën. Arrestimi i fundit mund të shënojë një fazë të re në zbardhjen e një prej krizave më të rënda politike që ka përjetuar Koreja e Jugut në dekadat e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco