Zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështjet e Tregtisë, Olaf Gill, theksoi BE është pranë një marrëveshjeje të re tregtare me SHBA-në.
“Po punojmë për të mbyllur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, të cilat e shtynë afatin përfundimtar. Ne synojmë që marrëveshja të arrihet para datës 1 gusht dhe vlerësojmë se jemi afër këtij qëllimi. Vazhdojmë të punojmë për një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët,” deklaroi sot Olaf Gill, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështjet e Tregtisë.
Komisioni Evropian ka pranuar datën e re përfundimtare, 1 gushtin, edhe pse në fillim të javës përfaqësuesit e tij kishin deklaruar se afati nuk ndryshon dhe mbetet 9 korriku.
“Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje, ndoshta edhe gjatë ditëve në vijim. Kemi treguar gatishmërinë për të përfunduar një marrëveshje në parim dhe Komisioni ka zhvilluar konsultime të ngushta me shtetet anëtare dhe industrinë për të siguruar një shkallë të lartë koherence në qasjen e përgjithshme të BE-së,” tha z. Gill.
I pyetur për sa afër është marrëveshja, ai u përgjigj: “Arritja e marrëveshjes tani varet nga gatishmëria për të gjetur një rezultat të pranueshëm për të dyja palët. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve tona. Mbrojmë interesat tona. Po vazhdojmë të punojmë me mirëbesim dhe po përgatitemi për të gjitha skenarët.”
Negociatat janë në kulm, dhe siç bëri të ditur z. Gill, Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maros Sefkoviç, zhvilloi dje një bisedë telefonike me ministrin amerikan të Tregtisë, Hoëard Lutnick, dhe sot pritet të ketë një telefonatë me Përfaqësuesin Tregtar të SHBA, Jamison Greer. Syri.net-CNN.gr
© SYRI.net