Presidenti i Kenias, William Ruto, tha sot se policët duhet të qëllojnë në këmbë protestuesit që plaçkitin biznese, për t’i neutralizuar, dy ditë pasi 31 persona u vranë gjatë demonstratave kundër qeverisë në mbarë vendin.
Të hënën, policia rrethoi një pjesë të madhe të Nairobit dhe përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba për të shpërndarë turmat. Disa supermarkete, biznese dhe spitale u plaçkitën ose u dogjën.
“Kushdo që djeg pronën e të tjerëve duhet të qëllohet në këmbë dhe të kalojë nga spitali rrugës për në gjykatë. Nuk duhet të vritet, por të qëllohet në këmbë për ta ndalur,” tha Ruto në një fjalim.
Vdekja e një blogeri që komentonte zhvillimet politike në vend, ndërsa ishte në paraburgim nga policia, nxori qindra kenianë në rrugë, duke ndezur sërish lëvizjen e protestës që kishte nisur për shkak të kostos së lartë të jetesës, korrupsionit dhe dhunës policore. Vitin e kaluar, protestuesit që kundërshtonin rritjen e taksave pushtuan parlamentin.
Protestuesit, kryesisht të rinj që kërkojnë mundësi punësimi dhe organizohen përmes rrjeteve sociale, kërkojnë gjithashtu që Ruto të mos rikandidojë për president. Ruto fitoi zgjedhjet presidenciale tre vjet më parë duke premtuar se do të mbështeste të varfrit dhe do të ndalte ekzekutimet jashtëgjyqësore. Ministri i Brendshëm, Kipchumba Murkomen, tha se protestat e muajit të kaluar ishin një “përpjekje për grusht shteti” nga “kriminelë anarkistë”.
Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, i cili financohet nga qeveria, tha nga ana e tij se banda kriminale që mbanin kamzhikë dhe hanxharë duket se vepronin përkrah policisë në Nairobi dhe në qytetin Eldoret, në Luginën Rift, të hënën. Policia nuk komentoi vërejtjen e Komisionit, megjithatë më parë ka deklaruar se nuk bashkëpunon me “banditë”.
“Kushdo që sulmon kenianët, policinë, infrastrukturën e sigurisë dhe bizneset është terrorist. Veprime të tilla kriminale përbëjnë shpallje lufte,” shkroi presidenti Ruto në platformën X.
© SYRI.net