Përveçse po promovon partinë e tij të re politike, gjiganti i teknologjisë Elon Musk ka nisur gjithashtu një sulm të ri ndaj armikut të vjetër, Scott Bessent. Në një postim të fundit në X, ai e ka quajtur sërish Bessent-in një “argat të Sorosit”. Kjo vjen pas deklaratës së Bessent-it, i cili tha se Musk duhet të përqendrohet në “aktivitetet e biznesit dhe jo ato politike.” Javën e kaluar, Elon Musk njoftoi se po krijon “Partinë Amerikane”, një ditë pasi ish-presidenti Trump nënshkroi 'Big, Beautiful’ Bill'. Musk tha se partia është krijuar për të sfiduar sistemin e “unipartisë” mes republikanëve dhe demokratëve. “Sot formohet Partia Amerikane për t’ju kthyer juve lirinë,” tha ai në një postim në X.
Duke folur për CNN-in të dielën, Sekretari i Thesarit të SHBA-së sugjeroi se bordet drejtuese të kompanive të Musk-ut nuk do të ishin të kënaqura me planet e tij për të krijuar një parti politike. “E imagjinoj që ato borde drejtuesish nuk e pëlqyen këtë njoftim dje dhe do ta nxisin atë të fokusohet te aktivitetet e tij të biznesit, jo te ato politike,” tha Sekretari i Thesarit. Ai gjithashtu thumboi Muskun duke thënë se “parimet” e Doge-s kanë qenë “popullore”, por Musk “nuk ishte”. Si përgjigje, Musk e quajti atë “argat të Sorosit” dhe deklaroi se “nuk di të bëjë llogari”. Ai shtoi gjithashtu se sondazhet janë pozitive për të dhe se prandaj presidenti Trump e kishte përdorur gjatë fushatës zgjedhore.
A kanë lidhje Bessent-i dhe Sorosi?
Scott Bessent siguroi një praktikë me Jim Rogers, një nga bashkëthemeluesit e Quantum Fund me George Sorosin, në vitin 1984. Më vonë, në vitin 1991, ai iu bashkua kompanisë Soros Fund Management (SFM), të themeluar nga George Sorosi, dhe u bë drejtues i zyrës në Londër, ku mbikëqyri investimet europiane. Në vitin 1992, ai luajti një rol kyç në fitimin e famshëm prej 1 miliard dollarësh të firmës nga spekulimi kundër paundit britanik gjatë krizës së “Të Mërkurës së Zezë”, duke punuar nën Sorosin dhe Stanley Druckenmiller-in. Ai u përshkrua si një “protegé” i Sorosit dhe ishte vendimtar në identifikimin e dobësive të tregut britanik të banesave që ndihmuan atë lëvizje. Në vitin 2000, ai u largua nga SFM për të krijuar fondin e vet spekulativ, Bessent Capital, me një kapital fillestar prej 200 milionë dollarësh nga Soros. Fondi pati vështirësi dhe u mbyll në vitin 2005. Më vonë, në vitin 2011, ai u rikthye në Soros Fund Management si Kryeinvestues (CIO), ku mbikëqyri miliarda dollarë në asete. U largua nga SFM në vitin 2015, për shkak të frustrimeve nga puna nën drejtimin e Sorosit dhe të birit të tij.
Elon Musk kundër Scott Bessent-it në Shtëpinë e Bardhë
Një përplasje e ashpër ndodhi midis Bessent-it dhe Elon Musk-ut në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë. Bessent bërtiste vazhdimisht “Ik pirdhu!” gjatë përplasjes. Musk, në kundërpërgjigje, e quajti atë një “agjent të Sorosit” dhe e akuzoi se kishte drejtuar një “fond të dështuar”. Konflikti nisi sepse Musk kishte tentuar të emëronte Gary Shapley-in në krye të IRS-së (Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme) pa marrë më parë miratimin e Bessent-it. Shtëpia e Bardhë nuk i mohoi raportimet për përplasjen, dhe Sekretarja për Shtyp Karoline Leavitt tha: “Mospajtimet janë pjesë normale e çdo procesi të shëndetshëm politik, dhe në fund të fundit të gjithë e dinë se shërbejnë në kënaqësinë e Presidentit Trump.” / Wionews - Syri.net/
© SYRI.net