Një zjarr i fuqishëm pyjor ka detyruar mbylljen e përkohshme të aeroportit të Marsejës këtë të martë (8 korrik 2025), ndërsa autoritetet franceze kanë kërkuar izolimin e banorëve në veri të qytetit dhe zonave përreth, për shkak të tymit të dendur që ka përfshirë rajonin.
Zjarrfikësit janë angazhuar maksimalisht për të përballuar flakët që shpërthyen në komunën Les Pennes-Mirabeau, në periferi të Marsejës. Dy lagje banimi janë evakuuar, ndërsa forcat e emergjencës po mbrojnë një rezidencë për të moshuar. "Gjendja është larg kontrollit", deklaroi për AFP kryetari i bashkisë Michel Amiel, duke theksuar se situata mbetet kritike.
Sipas autoriteteve aeroportuale, 10 fluturime janë devijuar, ndërsa të paktën 3 janë anuluar. Rreth orës 12:00 u mor vendimi për mbylljen e pistave, me përjashtim të avionëve dhe helikopterëve që ndihmojnë në shuarjen e zjarrit.
Në operacion janë angazhuar 168 zjarrfikës, 7 avionë dhe 3 helikopterë, por përhapja e flakëve është shumë e shpejtë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe erërave të forta. Deri tani, zjarri ka përpirë 350 hektarë pyje.
Ndërkohë, rreth 200 kilometra në perëndim, në zonën e Narbonës, një tjetër zjarr pyjor ka shkatërruar mbi 2.000 hektarë dhe ka detyruar autoritetet të evakuojnë banorët lokalë.
I gjithë bregu mesdhetar franceze ndodhet në alarm të kuq për zjarre pyjore, pas një vale të fortë të nxehti, me temperatura që kanë arritur deri në 40°C në disa rajone. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të sigurt, të mos frekuentojnë zonat pyjore dhe të ndjekin me kujdes udhëzimet e emergjencës.
© SYRI.net