Një rast i ri mashtrimi dixhital me përdorim të inteligjencës artificiale (AI) ka ngritur shqetësime serioze në qarqet politike të Shteteve të Bashkuara.
Persona të panjohur, duke përdorur software të AI-së, kanë imituar zërin dhe stilin e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të komunikuar përmes mesazheve zanore dhe tekstuale me ministra të Jashtëm, një guvernator amerikan dhe një anëtar të Kongresit.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan dhe një raporti konfidencial që citohet nga Washington Post, autoritetet dyshojnë se qëllimi ishte të manipuloheshin zyrtarët për të marrë qasje në informacione të ndjeshme apo llogari të rëndësishme.
Ngjarja filloi në mesin e qershorit, kur mashtruesi krijoi një llogari në aplikacionin e koduar Signal, duke përdorur një adresë emaili të rreme: ‘Marco.Rubio@state.gov’. Në këtë mënyrë, ai kontaktoi zyrtarë vendas dhe ndërkombëtarë që nuk dyshuan asgjë.
Mashtruesi la mesazhe zanore të regjistruara për të paktën dy prej viktimave dhe dërgoi ftesa për bisedë në Signal, ndërsa raportohet se edhe punonjës të Departamentit të Shtetit kanë rënë viktima të sulmeve përmes emailit.
Autoritetet amerikane nuk kanë bërë publikë emrat e zyrtarëve të prekur, as përmbajtjen e mesazheve, por kanë konfirmuar se është hapur një hetim i plotë. “Do të hetojmë në thellësi dhe do të forcojmë sigurinë për të parandaluar incidente të ngjashme”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Ky rast vjen pas një sërë incidentesh të tjera të mashtrimit dixhital me zyrtarë të lartë. Në maj, hakerë arritën të komprometojnë telefonin e Shefes së Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe u shtirën si ajo, duke kontaktuar senatorë, guvernatorë dhe drejtues biznesesh. Megjithëse FBI dhe Shtëpia e Bardhë janë në hetim, ish-presidenti Donald Trump minimizoi incidentin duke thënë se “Wiles është e shkëlqyer dhe di si t’i përballojë situatat”.
Profesori i kriminologjisë dixhitale në Universitetin e Berkeley-t, Hany Farid, theksoi se të tilla mashtrime nuk kërkojnë ekspertizë të lartë: “Mjaftojnë 15–20 sekonda të zërit të dikujt për të krijuar një kopje artificiale. Pastaj thjesht shkruan çfarë dëshiron që të thuhet”.
Mesazhet zanore janë veçanërisht efektive, sepse nuk lejojnë një bisedë që mund të ekspozojë mashtruesin.
Pavarësisht incidenteve, shumë zyrtarë të administratës Trump vazhdojnë të përdorin aplikacionin Signal, për shkak të enkriptimit të fuqishëm që ofron. Por profesori Farid paralajmëron se mungesa e sigurisë në ruajtjen e të dhënave e bën të lehtë realizimin e sulmeve të tilla.
Në maj, FBI paralajmëroi për një 'fushatë keqdashëse' që përdor AI për të mashtruar dhe për të përfituar informacione ose para nga zyrtarët e lartë shtetërorë.
Sipas Washington Post, këto sulme nuk kufizohen vetëm në SHBA. Në Ukrainë, shërbimet sekrete kanë zbuluar përpjekje të agjentëve rusë për të rekrutuar qytetarë përmes mashtrimeve dixhitale, ndërsa në Kanada autoritetet kanë hetuar tentativa të ngjashme për vjedhje të dhënash dhe futje të software-ve të dëmshëm, me ndihmën e inteligjencës artificiale. Syri.net-Protothema
© SYRI.net