Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka rënë dakord të zëvendësojë ambasadoren ukrainase në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, gjatë një bisede telefonike të fundit me presidentin amerikan Donald Trump, sipas një raportimi të gazetës Financial Times.
Aktualisht, janë duke u zhvilluar bisedime për pasuesin e saj, i cili duhet të miratohet nga të dyja palët.
Markarova, që mban postin që nga viti 2021, është kritikuar nga disa përfaqësues republikanë për lidhje të ngushta me Partinë Demokratike amerikane.
Ky ndryshim shihet si një përpjekje e Zelenskyt për të zbutur tensionet me Trump, në një moment delikat për Ukrainën.
Javën e kaluar, SHBA shtyu dërgimin e një ngarkese armësh tashmë të miratuara, ndërkohë që Rusia vazhdon sulmet ajrore tre vjet pas fillimit të pushtimit.
Sipas burimeve të Financial Times, Zelensky pritet të njoftojë ndryshimin e ambasadores gjatë javës së ardhshme, si pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të qeverisë. Presidenti ukrainas ka bërë disa riorganizime të kabinetit që nga fillimi i luftës.
Një zyrtar i lartë ukrainas tha për gazetën se Zelensky synon të emërojë dikë që ‘di të bëjë marrëveshje’ dhe që është ‘i kuptueshëm si nga Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe nga Kongresi amerikan’.
Ndër kandidatët potencialë për postin janë përmendur kryeministri Denys Shmyhal dhe ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov.
Sipas Balazs Jarabik, ish-diplomat i BE-së në Kiev, ndryshimet duket se kanë si qëllim menaxhimin e presioneve të brendshme politike, ekonomike dhe shoqërore, dhe më pak një ndryshim të strategjisë së përgjithshme. Syri.net-CNN.gr
© SYRI.net