Në fund të qershorit, Portugalia kontinentale regjistroi temperaturën më të lartë ndonjëherë prej 46.6 gradë Celsius në qytetin Mora, rreth 100 kilometra në lindje të Lisbonës.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë (DGS), vala e të nxehtit ka shkaktuar deri më tani 284 vdekje, shumica prej të cilave në radhët e të moshuarve mbi 85 vjeç. Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën paralajmëron se vala pritet të zgjasë deri në mesin e javës, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40°C në luginat Douro dhe Tagus.
Ndërkohë, situata është alarmante edhe në Spanjë, ku mbi 18 mijë banorë janë karantinuar për shkak të një zjarri të madh në Tarragona. Qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë ka vendosur pjesë të mëdha të vendit në gatishmëri të lartë, me dy viktima të konfirmuara dhe qindra zjarrfikës në terren.
Franca po përballet gjithashtu me zjarre shkatërrimtare – të paktën 10 persona janë plagosur në Aude, ndërsa një zjarr tjetër pranë Marsejës ka detyruar autoritetet të pezullojnë fluturimet dhe të mbyllin rrugët.
Në Kroaci, porti i Splitit u godit nga një stuhi e fuqishme me breshër, që shkuli çati, rrëzoi pemë dhe fundos anije, duke lënë pas tre të plagosur. Serbia fqinje ka raportuar mbi 600 zjarre vetëm në një ditë, me gjashtë të plagosur dhe disa bashki që kanë shpallur gjendje emergjente. Thatësira e rëndë në Ballkan ka dëmtuar të korrat dhe ka shkaktuar mungesa në furnizimin me ujë të pijshëm.
Ekspertët theksojnë se këto fenomene ekstreme të motit janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike dhe pritet të përkeqësohen në vitet në vijim nëse nuk merren masa urgjente.
© SYRI.net