Cilësohet si 'krim kundër njerëzimit'/ Çfarë përmban plani Izraelit për zhvendosjen e të gjithë palestinezëve në jug të Gazës

Cilësohet si 'krim kundër njerëzimit'/ Çfarë përmban plani Izraelit për zhvendosjen e të gjithë palestinezëve në jug të Gazës

13:43, 08/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka urdhëruar ushtrinë të përgatisë një plan për zhvendosjen e të gjithë popullsisë palestineze të Gazës drejt një kampi në jug të territorit, sipas mediave izraelite.

Ai tha se synon të krijojë një “qytet humanitar” mbi rrënojat e Rafahut, fillimisht për të strehuar 600 mijë persona, e më pas gjithë 2.1 milionë banorët. Plani parashikon vendosjen e tyre në një zonë të mbyllur, ku do të lejohen të hyjnë vetëm pas një kontrolli sigurie për të verifikuar nëse janë apo jo operativë të Hamasit. Sipas Katz, ndërtimi mund të nisë gjatë një armëpushimi 60-ditor që po negociohet me Hamasin.

Një avokat izraelit për të drejtat e njeriut, Michael Sfard, e dënoi planin si “krim kundër njerëzimit” dhe si përgatitje për dëbimin e plotë të popullsisë palestineze jashtë Gazës. OKB-ja ka paralajmëruar më herët se dëbimi ose zhvendosja e detyruar e civilëve nga një territor i pushtuar përbën shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe mund të konsiderohet “spastrimi etnik”.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Benjamin Netanyahu u shpreh se mbështet planin e presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur popullsinë e Gazës jashtë territorit dhe e cilësoi atë si “vizion i lirë” për palestinezët që, sipas tij, “duan të largohen”. Trump shtoi se po punohet me vendet fqinje për të gjetur zgjidhje.

Nga ana tjetër, shtetet arabe kanë mbështetur një plan alternativ prej 53 miliardë dollarësh të propozuar nga Egjipti, i cili synon rindërtimin e Gazës pa zhvendosje të detyruar, ndërsa e cilësojnë çdo përpjekje të tillë si “krim kundër njerëzimit”. Ky plan është mbështetur nga Autoriteti Palestinez dhe Hamasi, por është refuzuar nga SHBA dhe Izraeli.

Ndërkohë, palestinezët shprehin frikën për një përsëritje të Nakbas – katastrofës së vitit 1948, kur qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Sot, 75% e banorëve të Gazës janë refugjatë ose pasardhës të tyre, ndërsa 3.4 milionë të tjerë ndodhen në Jordani, Siri dhe Liban.

Fushata ushtarake e Izraelit, e nisur pas sulmit të 7 tetorit 2023, ka shkaktuar mbi 57,500 viktima në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Popullsia është zhvendosur disa herë, sistemet jetike janë rrënuar dhe mungesat në ushqime, ilaçe dhe strehim janë kritike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco