Gjermania ka thirrur ambasadorin kinez në Berlin për të protestuar zyrtarisht pas një incidenti serioz në Detin e Kuq, ku një anije luftarake kineze përdori një lazer ndaj një avioni mbikëqyrës gjerman që ishte pjesë e misionit të BE-së Aspides.
Ministria e Jashtme gjermane e quajti ngjarjen “tërësisht të papranueshme”, duke theksuar rrezikimin e jetës së ekuipazhit dhe ndërprerjen e operacionit mbikëqyrës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, sulmi me lazer ndodhi pa paralajmërim dhe pa kontakt paraprak, teksa avioni kryente një mision për mbrojtjen e anijeve civile nga sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit. Si pasojë, avioni u detyrua të ndërpriste fluturimin dhe të ulej urgjentisht në një bazë ushtarake në Xhibuti, ku ekuipazhi u konstatua në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas incidentit, avioni ka rifilluar operacionet me misionin Aspides, që vepron në një zonë të rrezikshme për transportin detar civil. Kina nuk ka komentuar ende mbi ngjarjen. Ndërkohë, rebelët Huthi vazhdojnë sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke rritur tensionet në këtë rrugë ujore strategjike.
© SYRI.net