Një shpërthim i fuqishëm i malit vullkanik Lewotobi Laki Laki në ishullin Flores, Indonezi, ka ndërprerë dhjetëra fluturime dhe ka detyruar mbylljen e dy aeroporteve lokale, duke shkaktuar kaos në trafikun ajror në dhe nga Bali.
Shpërthimi, i dyti brenda pak orësh të hënën, krijoi një kolonë tymi dhe hiri të dendur që arriti deri në 18 kilometra lartësi, duke mbuluar me hi fshatra të tërë dhe duke rritur rrezikun për aviacionin. Agjencia Gjeologjike e Indonezisë raportoi për një ortek të madh gazi të nxehtë dhe shkëmbinjsh që u përhap deri në 5 kilometra, ndërkohë që autoritetet janë në gatishmëri për të zgjeruar zonën e evakuimit.
Deri të martën, 24 fluturime ndërkombëtare dhe disa të tjera vendase ishin anuluar, ndër to ato nga Jetstar, Qantas, AirAsia dhe Virgin Australia. Aeroporti i Balit tha se për momentin hapësira ajrore nuk është prekur drejtpërdrejt nga hiri, por situata vazhdon të monitorohet nga afër.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka lëshuar paralajmërime të reja, por këshillon të shmangen zonat pranë disa vullkaneve aktive. Ekspertët paralajmërojnë se hiri vullkanik përbën rrezik serioz për motorët e avionëve dhe kontrollin e fluturimit, ndërkohë që Indonezia mbetet një nga vendet me aktivitetin më të dendur vullkanik në botë.
© SYRI.net