Votëbesimi në Parlamentin e BE-së: Cili është qëndrimi i partive për von der Leyen?

Votëbesimi në Parlamentin e BE-së: Cili është qëndrimi i partive për von der Leyen?

09:11, 08/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shumica e grupeve politike në Parlamentin Europian nuk janë të gatshme të mbështesin mocionin e mosbesimit që synon rrëzimin e Komisionit Europian të Ursula von der Leyen, por presidentja e Komisionit nuk i ka shpëtuar dot valës së kritikave të forta, madje edhe nga aleatët e saj të mëparshëm.

Partia Popullore Evropiane (PPE), e cila mbështet von der Leyen, ka paralajmëruar një votë unanime kundër mocionit, duke e cilësuar si një përpjekje nga ekstremi i djathtë pro-Putinit për të destabilizuar Bashkimin Evropian. Ndërkohë, edhe grupet kryesore të qendrës si Socialistët dhe Demokratët (S&D), Renew Europe dhe të Gjelbrit, ndonëse nuk do të mbështesin mocionin, shprehën kritika të forta për mënyrën e drejtimit të Komisionit dhe flirtet politike me të djathtën ekstreme.

Debati i zhvilluar të hënën në Parlament zbuloi ndarje të thella politike: nga njëra anë, partitë pro-evropiane që, megjithë rezervat, refuzojnë të japin një fitore simbolike të djathtës ekstreme; dhe nga ana tjetër, grupet e ekstremit të djathtë dhe disa të majtë radikalë që kërkojnë largimin e menjëhershëm të von der Leyen, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe mungesë transparence.

Grupi i E Majtës është gjithashtu i përçarë, me disa eurodeputetë që do të votojnë pro mocionit. Konservatorët e ECR janë të ndarë mes tyre, ndërsa grupet më radikale si “Patriotët për Evropën” dhe “Evropa e Kombeve Sovrane” kanë paralajmëruar votë pro mocionit, duke bërë thirrje për dorëheqjen e Komisionit.

Vota e së enjtes më 10 korrik pritet të jetë më shumë simbolike sesa vendimtare, pasi nuk ka gjasa të arrihet shumica e cilësuar prej dy të tretash që kërkohet për rrëzimin e Komisionit. Megjithatë, rezultati i saj do të pasqyrojë shkallën e vërtetë të pakënaqësisë ndaj drejtimit të von der Leyen, duke sinjalizuar një çarje gjithnjë e më të thellë në koalicionin që e solli atë në pushtet./ Euronews - Syri.Net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco