Komanda Provinciale e Guardia di Finanza në Reggio Calabria ka ndërmarrë një tjetër operacion të suksesshëm kundër grupeve kriminale që shfrytëzojnë portin strategjik të Gioia Tauros për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Gazetarja Alba Kepi, raporton se gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë natës nga grupi i Guardia di Finanza në Gioia Tauro – si pjesë e një monitorimi sistematik dhe kontrolli të detajuar të zonës portuale – u identifikua një pozicionim i dyshimtë i disa konteinerëve, të vendosur në një zonë të errët dhe jo funksionale, pranë një vinçi që nuk ishte në funksion.
Pas kontrollit të imtësishëm të konteinerëve, ku njëri prej tyre rezultonte i dëmtuar në mënyrë të dukshme, efektivët zbuluan 16 çanta që përmbanin 385 pako me kokainë, me një peshë totale prej 417 kilogramësh. Lënda narkotike u sekuestrua menjëherë për qëllime hetimore.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve, kjo sasi e drogës do të kishte gjeneruar të ardhura të paligjshme mbi 67 milionë euro për grupet kriminale.
Pas dërgimit të akteve të hetimit në Prokurorinë nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm Emanuele Crescenti, sekuestrimi u konfirmua zyrtarisht nga autoritetet gjyqësore.
Ky operacion dëshmon edhe një herë rëndësinë strategjike të portit të Gioia Tauros në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe vendosmërinë e institucioneve italiane për të goditur rrënjësisht veprimtarinë kriminale ndërkombëtare.
© SYRI.net