Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, doli sot në një seancë të tensionuar plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, për të mbrojtur mandatin e saj përpara votimit vendimtar të së enjtes mbi një mocion mosbesimi.
Ky mocion u paraqit nga eurodeputeti rumun Gheorghe Piperea, anëtar i Grupit të Reformistëve dhe Konservatorëve Evropianë (ECR), i cili e akuzon Von der Leyen për mungesë transparence lidhur me skandalin e njohur si ‘Pfizergate’.
Me një qëndrim të vendosur dhe një ton sfidues, Von der Leyen reagoi fuqishëm ndaj akuzave, duke i cilësuar si pjesë e një skenari të njohur ekstremist për të minuar institucionet demokratike.
Në fjalën e saj në sallën plenare, ku ishin të pranishëm figura të larta të BE-së si diplomatja Kaja Kallas dhe komisionerja për konkurrencë Teresa Ribera, ajo nuk kurseu kritikat.
“Kjo është receta më e vjetër e ekstremistëve, nxitja e ndarjeve në shoqëri, minimi i besimit te demokracia dhe përhapja e pretendimeve të rreme për manipulim zgjedhor. Piperea përpiqet të rishkruajë historinë e suksesit të Europës në menaxhimin e pandemisë, nga vaksinat deri te fondi ‘Next Generation’”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo e quajti mocionin një “përpjekje brutale” për të krijuar ndasi brenda institucioneve europiane dhe për të goditur forcat pro-demokratike të Parlamentit Europian. Fjalimi i saj u shoqërua me reagime të forta, përfshirë fishkëllima nga disa eurodeputetë në sallë.
© SYRI.net