Tragjedi në Vietnam/ Të paktën 8 persona mes tyre dy fëmijë kanë humbur jetën, për shkak të një zjarri

Tragjedi në Vietnam/ Të paktën 8 persona mes tyre dy fëmijë kanë humbur jetën, për shkak të një zjarri

18:01, 07/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tetë persona, mes tyre dy fëmijë, humbën jetën pas një zjarri që shpërtheu në orët e para të së hënës në një bllok apartamentesh në qytetin Ho Chi Minh, njoftuan sot autoritetet e qytetit jugor vietnamez.

Sipas bashkisë, zjarrfikësit gjetën trupat e viktimave në katin përdhes të ndërtesës pesëkatëshe, pasi zjarri u vu nën kontroll. Të gjithë kishin ndërruar jetë si pasojë e thithjes së tymit.

Një dëshmitar okular, duke folur për gazetën shtetërore Thanh Niên, tha se zjarri i detyroi disa banorë të hidhen nga lartësia për t’i shpëtuar flakëve.
“Dëgjonim britma për ndihmë që vinin nga apartamenti. Ishte e tmerrshme,” shtoi ai.

Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e qytetit Ho Chi Minh kanë urdhëruar një shqyrtim urgjent të masave për parandalimin e zjarreve, veçanërisht në zonat me densitet të lartë banorësh.

Zjarret vdekjeprurëse janë të shpeshta në Vietnam, shpesh si pasojë e cilësisë së dobët të ndërtesave dhe mungesës së standardeve bazë të sigurisë, problem që rëndohet më tej nga mbipopullimi.

Në vitin 2023, 56 persona humbën jetën nga një zjarr që përfshiu një ndërtesë të lartë apartamentesh në kryeqytetin Hanoi, ngjarja më vdekjeprurëse e këtij lloji në vend në dy dekadat e fundit.

Për atë tragjedi, një gjykatë dënoi pronarin e ndërtesës 12-katëshe me burg, pasi kishte shkelur rregullat e sigurisë duke shtuar në mënyrë të paligjshme apartamente. Gjithashtu, shtatë zyrtarë lokalë u shpallën fajtorë për shpërdorim detyre, për shkak të mosmbikëqyrjes së projektit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco