Forcat e sigurisë në Kenia kanë bllokuar të gjitha rrugët kryesore që çojnë drejt qendrës së Nairobisë përpara protestave të planifikuara kombëtare të hënën. Qendra e qytetit është pothuajse e boshatisur, me biznese të mbyllura, prani të dendur policore dhe disa shkolla që kanë këshilluar nxënësit të qëndrojnë në shtëpi.
Qindra qytetarë janë bllokuar nëpër postblloqe që ndodhen deri në 10 kilometra larg qendrës, ndërsa lëvizja është lejuar vetëm për disa automjete. Rrugët që çojnë drejt ndërtesave kyçe si rezidenca presidenciale dhe Parlamenti janë të rrethuara me tela me gjemba, ndërsa policia thotë se po vepron për të ruajtur rendin publik.
Protestat e njohura si Saba Saba, që shënojnë 35-vjetorin e luftës për demokraci shumëpartiake, janë organizuar kryesisht nga të rinjtë që kërkojnë drejtësi, qeverisje të mirë dhe përgjegjshmëri për dhunën policore.
Ngjarjet e fundit janë shoqëruar me dhunë dhe akuza për bashkëpunim mes policisë dhe grupeve të dhunshme, ndërsa tensioni ka arritur kulmin pas një sulmi të armatosur ndaj një organizate për të drejtat e njeriut në prag të protestës.
© SYRI.net