Në rrjetet sociale po qarkullojnë pretendime të rreme se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me bombardim Norvegjinë nëse nuk fiton Çmimin Nobel për Paqen. Këto postime, të shpërndara në X dhe platforma të tjera, përfshijnë madje edhe imazhe të shpërthimeve ose foto të Trump-it, duke sugjeruar se ai është i gatshëm të përdorë dhunë për të marrë çmimin prestigjioz.
Megjithatë, një kërkim i thjeshtë në Google nuk gjen asnjë deklaratë të vërtetë ose raportim serioz që e mbështet këtë pretendim. I vetmi burim që e ka përmendur këtë “kërcënim” është The Borowitz Report, një faqe e njohur për lajme satirike, që në mënyrë të qartë thekson se përmbajtja e saj është humoristike dhe jo faktuale.
Në të kaluarën, Trump është nominuar disa herë për Çmimin Nobel për Paqen dhe ka shprehur haptazi pakënaqësi për mosmarrjen e tij, duke akuzuar Komitetin e Nobelit për anshmëri politike. Kohët e fundit, ai tha në rrjetin e tij Truth Social se, “nuk do ta marr kurrë Çmimin Nobel për Paqen, pavarësisht se çfarë bëj”, duke nënkuptuar se është i ndërgjegjshëm për përjashtimin që, sipas tij, i bëhet.
Pakistani dhe disa politikanë republikanë e kanë nominuar Trump-in për këtë çmim, duke përmendur rolin e tij në nismat për paqe në Lindjen e Mesme apo në rajonin Indo-Pakistanez. Megjithatë, një deputet ukrainas e tërhoqi nominimin e tij, duke thënë se kishte humbur besimin në aftësitë e Trump për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm.
Çmimi Nobel për Paqen jepet nga një komitet norvegjez i pavarur dhe vendimi merret pas një procesi të rreptë vlerësimi nga ekspertë. Deri më sot, katër presidentë amerikanë e kanë fituar këtë çmim: Theodore Roosevelt, Woodrow Wilson, Jimmy Carter dhe Barack Obama.
Ndërsa nuk ka asnjë pengesë ligjore që Trump të fitojë Çmimin Nobel për Paqen, çdo pretendim se ai do të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Norvegjisë nëse nuk e fiton atë është i pabazë dhe, në rastin më të mirë, thjesht një pjesë e humorit satirik në internet.
© SYRI.net