Kur Rusia iu drejtua Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut për të forcuar operacionet e saj ushtarake në Ukrainë, disa zyrtarë amerikanë dhe britanikë nxituan të flisnin për një ‘bosht’ të ri anti-perëndimor, një aleancë e bazuar në autoritarizëm, kundërshtim ndaj Perëndimit dhe, mbi të gjitha, armiqësi ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Megjithatë, pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë, si furnizimi me dronë dhe raketa balistike nga Irani drejt Moskës apo mbështetja ekonomike e Rusisë përmes blerjeve kineze të naftës, reagimi i këtyre shteteve në momente kyçe tregon kufijtë e kësaj aleance të supozuar.
Kur Irani u përball me Izraelin dhe SHBA-të nisën sulme ndaj infrastrukturës së tij bërthamore, asnjëri nga këta partnerë nuk ndërhyri realisht.
Moska dhe Pekini mjaftuan me deklarata proteste, por nuk ndërmorën hapa konkretë. “Realiteti është se Rusia dhe Kina nuk nxituan për të shpëtuar Iranin,” tha Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë.
“Kjo zbulon kufijtë e kësaj të ashtuquajture aleance, këto janë vende që veprojnë në mënyrë egoiste dhe shmangin përfshirjen në luftërat e njëri-tjetrit.”
Të katër vendet, Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut ndajnë një qëndrim të përbashkët armiqësor ndaj SHBA-së dhe përpiqen t’i rezistojnë ndikimit perëndimor. Por, megjithëse nuk kanë formuar një aleancë ushtarake formale, ato kanë arritur të bashkëpunojnë përmes tregtisë, shkëmbimit të teknologjisë ushtarake dhe anashkalimit të sanksioneve.
Ndër to, vetëm Rusia dhe Koreja e Veriut kanë një marrëveshje të drejtpërdrejtë ndihme ushtarake. Përveç dërgimit të armëve, Pheniani raportohet të ketë dërguar mbi 14,000 ushtarë në Ukrainë, për të mbështetur forcat ruse, një bashkëpunim që rrënjët i ka në epokën e Luftës Koreane.
Në të kundërt, lidhjet mes Rusisë dhe Iranit mbeten më të rezervuara. Dallimet fetare dhe ideologjike, si dhe interesat rajonale, nxisin kujdes në Moskë dhe Pekin. Vladimir Putin, për shembull, përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira si me Izraelin, ashtu edhe me vendet sunite të Gjirit, gjë që kufizon përfshirjen e tij në mbështetje të Teheranit.
Kina gjithashtu ndjek një linjë më të kujdesshme. Si një nga importuesit më i madh i naftës në botë, Pekini ruan marrëdhënie të ngushta energjetike me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dy rivalë kryesorë të Iranit. Një përshkallëzim në rajon do të rrezikonte interesat energjetike të Kinës, prandaj Pekini preferon të mbetet në rolin e një ‘ndërmjetësi neutral’.
Ky qëndrim u bë i dukshëm në mars 2023, kur Kina ndërmjetësoi afrimin mes Iranit dhe Arabisë Saudite, ndërkohë që përpiqej të forconte marrëdhëniet me regjimin sirian të Bashar al-Asad. Por me dobësimin e Iranit dhe rënien e Asadit nga pushteti, Kina po tregohet edhe më e rezervuar, duke vëzhguar zhvillimet dhe pritjet për një rend të ri në rajon.
Sipas analistes Yun Sun nga Stimson Center, ‘boshti’ i këtyre katër vendeve nuk bazohet në pakte ushtarake, por në një qëndrim ideologjik të përbashkët, antiamerikanizëm, antipërëndimor dhe kundërshtim ndaj demokracisë liberale.
Por historianë si Sergei Radchenko theksojnë se kjo ‘aleancë’ ka themele të brishta.
“Nuk ka vlera të përbashkëta përtej retorikës për një ‘botë shumëpolare’. Qëndrimi i Putinit, i gatshëm të braktisë Iranin nëse kjo i shërben interesave të Rusisë, e dëshmon këtë,” thotë ai. “E njëjta gjë vlen edhe për Teheranin.”
Kina, nga ana tjetër, ruan një distancë të qëllimshme nga regjimi teokratik iranian. Sipas Yun Sun, zyrtarët kinezë e konsiderojnë qeverinë iraniane si ‘naive, oportuniste, të paqëndrueshme dhe jo të besueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare’. Megjithatë, Pekini është i vetëdijshëm se Irani, ashtu si Koreja e Veriut është një vend i izoluar që mbështetet fuqishëm te Kina, edhe kur marrëdhënia mes tyre është e ftohtë.
Ndërsa retorika për një bosht autoritar anti-perëndimor vijon, realiteti gjeopolitik tregon se Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut mbeten më shumë partnerë të përkohshëm me interesa të përbashkëta sesa një aleancë e unifikuar. Bashkëpunimi i tyre është i ndikuar nga strategji pragmatike, jo nga solidariteti ideologjik apo angazhimi reciprok në mbështetje ushtarake. Syri.net-Kathimerini
© SYRI.net