Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris nuk e zgjodhi guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro, për kandidatin e saj për zëvendëspresident, sepse ai është hebre, ka thënë kandidati republikan për president Donald Trump.
Megjithëse Shapiro konsiderohej si favorit, Harrisi në fund zgjodhi guvernatorin e Minesotës Tim Walz.
"Të gjithë menduan se do të ishte Shapiro, por rezultoi se nuk ishte Shapiro", tha Trump në Fox News të mërkurën. "Kam shumë pak dyshim se nuk ishte për arsyen për të cilën po flasim. Ishte për faktin se ai është hebre dhe ata mendojnë se do të fyejnë dikë tjetër."
"Ka pasur njerëz të tjerë më të mirë se ai, unë i njoh të gjithë. Por u trondita kur mësova për dy kandidatët e fundit dhe ajo nuk zgjodhi Shapiron," shtoi ai.
Fraksioni 'progresiv' i demokratëve ishte kundër Shapiros, duke përmendur mbështetjen e tij për Izraelin dhe kritikat ndaj protestave studentore pro-palestineze në të gjithë SHBA-në. Disa kritikë e quajtën atë "Josh gjenocidi" - duke i bërë jehonë nofkës "Joe gjenocidi" që i është dhënë presidentit Biden - ndërsa të tjerë vunë në dukje problemet e mundshme që një dyshe Harris-Shapiro do të kishte për të marrë votat e myslimanëve, arabëve dhe palestinezo-amerikanëve në shtetet kyçe.
Nuk do të ndiheshe fort rehat nëse je Izraeli aktualisht me këtë ekip", tha Trump për Fox News. "Ky është ekipi më i keq i mbledhur ndonjëherë për një hebre ose për Izraelin."
"Ata janë shumë të këqij me hebrenjtë – çfarë kanë bërë, mënyra se si flasin, politika e tyre dhe gjithçka tjetër", shtoi ai.
Gjatë presidencës së tij 2017-2021, Trump mbështeti hapur Izraelin, duke njohur aneksimin e Lartësive të Golanit të pushtuar dhe zhvendosjen e ambasadës së SHBA nga Tel Avivi në Jerusalemin Perëndimor, ndër të tjera. Ai ka thënë vazhdimisht se çdo hebre që voton për demokratët "duhet të ekzaminohet". Sidoqoftë, në zgjedhjet e vitit 2020, rreth 70% e hebrenjve amerikanë votuan për Biden-in.
Administrata Biden-Harris ka furnizuar me armë dhe municion Izraelin, ndërkohë që kërkon një armëpushim dhe negociata me Hamasin, diçka që kryeministri Benjamin Netanyahu e ka refuzuar vazhdimisht./National Review – Syri.net
© SYRI.net