‘Ne do të marrim hak’, aeroporti i Bejrutit në kaos, libanezët ikin nga frika e luftës me Izraelin

‘Ne do të marrim hak’, aeroporti i Bejrutit në kaos, libanezët ikin nga frika e luftës me Izraelin

07:17, 05/08/2024
A+ Aa A-

Kaosi ka mbërthyer aeroportin e Bejrutit në Liban, pas rritjes së frikës për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Qindra qytetarë po largohen sepse kanë frikë nga një luftë e gjithanshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, ndërsa të tjerëve u janë anuluar fluturimet njëri pas tjetrit. Në sallën e nisjes, familje të tëra, me fëmijët në krahët e prindërve të tyre, shikojnë pirgjet e bagazheve dhe orarin, teksa shumica e fluturimeve janë të destinuara për në Stamboll, Aman dhe Kajro.

“Nuk doja të largohesha. Doja të kaloja gjithë verën në Liban dhe më pas të kthehesha në Francë për punë”, tha Joelle Sfeir, duke pritur në sallën e mbushur plot. Por “fluturimi im u anulua dhe më duhej të rezervoja një biletë tjetër për sot”, tha e reja libaneze.

Ashtu si shumë bashkatdhetarë të saj që punojnë apo studiojnë jashtë vendit, Sfeir përfitoi nga pushimet verore për të vizituar të afërmit dhe miqtë që kanë mbetur në vend. Por pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniya, në Teheran dhe sulmit ajror izraelit në Bejrut një ditë më parë që vrau udhëheqësin ushtarak të Hezbollahut, Fouad Shukr, shumë linja ajrore, duke përfshirë Lufthansa dhe Air France, kanë pezulluar fluturimet drejt dhe nga Bejruti.

 

 

Në të njëjtën kohë, pas kërcënimeve për hakmarrje ndaj Izraelit, shumë vende (Suedia, SHBA, Britania, Franca, Jordania, Arabia Saudite) u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen sa më shpejt nga Libani. Mbi të gjitha, kujtimet e luftës së mëparshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, në vitin 2006, janë ende të gjalla dhe atë vetë aeroporti i Bejrutit ishte një nga pikat që Tel Avivi bombardoi.

“Isha në Siri, por situata u vështirësua pak dhe fluturimi im, i cili ishte planifikuar për nesër, u anulua. Kështu që unë po përpiqem të largohem sot”, shpjegoi Moder Raya.

Greta Mukarzel, menaxherja e një agjencie udhëtimi pranë Bejrutit, tha se kishte marrë një "lum telefonatash" nga klientët që donin të largoheshin dhe kishin frikë se do të bllokoheshin në Liban. “Por është e vështirë të gjesh vende për shkak se shumë fluturime janë anuluar dhe për shkak të rritjes së kërkesës, veçanërisht drejt vendeve evropiane”, shpjegoi ajo.

Pranë zonës së mbërritjeve, e cila zakonisht është e mbushur me njerëz në këtë kohë, shihen shumë pak njerëz.

Në rrugën për në aeroport, e cila përshkon periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut, një pankartë e madhe me fotografitë e Ismail Haniya dhe Fouad Soukr paralajmëron: "Ne do të marrim hak".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco