Të paktën 17 persona u vranë në sulmin e djeshëm izraelit në një kompleks shkollor në Gaza, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga agjencia e mbrojtjes civile e enklavës palestineze. Nga ana e saj, ushtria izraelite pretendon se goditi një qendër komanduese të Hamasit.
“Shtatëmbëdhjetë dëshmorë dhe shumë të plagosur janë bilanci i bombardimeve izraelite në shkollën në Hamama”, thuhet në njoftimin e shërbimit të mbrojtjes civile në Gaza. Numri i mëparshëm ishte dhjetë të vdekur.
Forcat e Armatosura izraelite (IDF) konfirmuan sulmin në zonë, duke nënvizuar se ai synonte “terroristët” në një “qendër komandimi dhe kontrolli të Hamasit”, e njohur më parë si “shkolla Hamamah, në pjesën veriore të Rripit të Gazës”.
“Prej aty ishin planifikuar dhe nisur sulme të ndryshme terroriste kundër ushtarëve izraelitë. Për më tepër, armët e Hamasit janë prodhuar dhe ruajtur në kompleks”, thuhet në deklaratën e IDF.
Izraeli ka akuzuar vazhdimisht Hamasin për përdorimin e infrastrukturës civile si qendra komanduese ose strehë për liderët dhe luftëtarët e tij.
Mahmoud Basal, një zëdhënës i agjencisë së mbrojtjes civile në Gaza, tha më herët se kompleksi i shkollës ishte strehuar nga njerëz të zhvendosur të cilët u detyruan të linin shtëpitë e tyre për shkak të operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.
© SYRI.net