Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Si do shkohet në zgjedhjet e 2025?

Mbi 550 myslimanë kanë vdekur gjatë pelegrinazhit në Mekë nga nxehtësia ekstreme

Mbi 550 myslimanë kanë vdekur gjatë pelegrinazhit në Mekë nga nxehtësia ekstreme

08:30, 19/06/2024
A+ Aa A-

Qindra vizitorë kanë vdekur gjatë pelegrinazhit vjetor mysliman në Mekë mes vapës përvëluese.  Sipas raporteve të shtypit dhe ministrive të jashtme të paktën 550 njerëz kanë vdekur në haxh. Treqind e njëzet e tre nga të vdekurit ishin egjiptianë, shumica e të cilëve vdiqën për shkak të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë, raportoi AFP, duke cituar dy diplomatë arabë.

"Të gjithë vdiqën për shkak të nxehtësisë" përveç njërit që pësoi lëndime fatale gjatë një përplasjeje të lehtë të turmës", tha një nga diplomatët, duke shtuar se shifra totale erdhi nga morgu i spitalit në lagjen Al-Muaisem të Mekës.

Tridhjetë e pesë qytetarë tunizianë kanë vdekur gjatë haxhit, tha të martën agjencia tuniziane e lajmeve “Tunis Afrique Presse”. Shumë nga këto vdekje ishin për shkak të nxehtësisë ekstreme, thanë anëtarët e familjes në mediat sociale, ndërsa familjet e tjera vazhduan të kërkonin për të afërmit e zhdukur në spitalet saudite.

Ministria e Jashtme jordaneze tha se kishte lëshuar 41 leje varrimi për pelegrinët jordanezë të martën. Më herët, ministria tha se të paktën gjashtë qytetarë jordanezë vdiqën nga nxehtësia gjatë haxhit.

Njëmbëdhjetë iranianë kanë vdekur dhe 24 janë shtruar në spital gjatë pelegrinazhit, tha të martën agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRINN pa dhënë shkaqet e vdekjes.

Tre qytetarë senegalezë vdiqën gjithashtu gjatë haxhit, tha të hënën Agence de Presse Sénégalaise.

144 qytetarë indonezianë vdiqën gjatë pelegrinazhit, treguan të martën të dhënat e ministrisë indoneziane të shëndetësisë.

Rrëmuja, zjarret në tenda dhe aksidente të tjera kanë shkaktuar qindra vdekje gjatë haxhit në Arabinë Saudite në 30 vitet e fundit.

Televizioni shtetëror saudit tha se temperaturat u rritën të hënën deri në 51.8 gradë Celsius nën hije në Xhaminë e Madhe në Mekë.

Një studim i vitit 2024 nga “Journal of Travel and Medicine” zbuloi se rritja e temperaturave globale mund të tejkalojë strategjitë për t'u përballur me nxehtësinë. Një studim i vitit 2019 nga “Geophysical Research Letters” tha se ndërsa temperaturat rriten në Arabinë Saudite për shkak të ndryshimeve klimatike, pelegrinët që kryejnë haxhin do të përballen me "rrezik ekstrem".

Haxhi është një pelegrinazh vjetor që miliona myslimanë bëjnë në Mekë për të kryer ritet fetare siç u mësoi Profeti Muhamed pasuesve të tij 14 shekuj më parë.

Haxhi, një nga tubimet masive më të mëdha në botë, është një detyrë që ndodh një herë në jetë për myslimanët e aftë që mund ta përballojnë atë. Pelegrinazhi filloi të premten dhe përfundon të mërkurën. Më shumë se 1.8 milionë pelegrinë pritej të merrnin pjesë këtë vit, sipas Autoritetit të Përgjithshëm Saudit për Statistikat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco