Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Si do shkohet në zgjedhjet e 2025?

Vendet e pasura planifikojnë të blejnë më shumë ar pavarësisht çmimit rekord

Vendet e pasura planifikojnë të blejnë më shumë ar pavarësisht çmimit rekord

16:56, 18/06/2024
A+ Aa A-

Bankat qendrore të ekonomive të përparuara presin, që pjesa e metalit në rezervat globale të rritet në kurriz të dollarit, pasi këto institucione kërkojnë të ndjekin drejtimin e tregjeve në zhvillim, në blerjen e shufrave të arit.

Pothuajse 60 % e bankave qendrore të vendeve të pasura besojnë, se pjesa e arit në rezervat globale, do të rritet në pesë vitet e ardhshme, nga 38 % e të anketuarve vitin e kaluar, sipas një sondazhi vjetor të kryer nga Këshilli Botëror i Arit (World Gold Council).

Rreth 13 % e ekonomive të përparuara planifikojnë, të rrisin zotërimet e tyre të arit vitin e ardhshëm, nga rreth 8 % vitin e kaluar dhe niveli më i lartë, që nga fillimi i sondazhit. Kjo pason drejtimin e bankave qendrore të tregjeve në zhvillim, të cilat kanë qenë blerësit kryesorë të arit, që nga kriza financiare globale e vitit 2008. Ndërkohë, një përqindje në rritje e ekonomive të përparuara – 56 %, nga 46 % vitin e kaluar – gjithashtu mendojnë se pjesa e dollarit në rezervat globale, do të bjerë gjatë 5 viteve të ardhshme. Ndër bankat qendrore të tregjeve në zhvillim, 64 % ndajnë këtë pikëpamje. Kërkesa për ar, e cila vjen pavarësisht nga një rritje e mprehtë e çmimit të metalit të çmuar këtë vit, nxjerr në pah se si alokimet ndaj dollarit kanë qenë në rënie, ndërsa bankat qendrore janë përpjekur të diversifikojnë zotërimet e tyre përmes monedhave dhe aktiveve alternative.

“Këtë vit ne kemi parë konvergjencë shumë më të fortë. Vendet më të përparuara thonë se ari, do të zërë më shumë nga rezervat globale dhe dollari më pak,” tha Shaokai Fan, kreu global i bankave qendrore në WGC.

“Nuk ishin vendet e tregjeve në zhvillim, që i vlerësuan më pak këta faktorë, por tregjet e përparuara arritën të kuptojnë, se si ndihen tregjet në zhvillim për arin,” shtoi ai.

Sondazhi zbuloi, se një përqindje rekord e bankave qendrore, që nga fillimi i sondazhit pesë vjet më parë, synojnë të rrisin rezervat e tyre të arit gjatë 12 muajve të ardhshëm, në 29 % të të anketuarit. Nga të anketuarit në tregjet në zhvillim, gati 40 % planifikojnë të rrisin zotërimin e tyre. Arsyet kryesore të përmendura nga bankat qendrore, për mbajtjen e arit, janë vlera e tij afatgjatë, performanca gjatë krizave dhe roli i tij si diversifikues efektiv. Bankat qendrore shtuan më shumë se 1000 ton ar në rezervat e tyre, si në vitin 2022 ashtu edhe në vitin 2023, sipas ËGC. Sanksionet e SHBA-së mbi aktivet ruse, të shprehura në dollarë, shkaktuan një nxitim midis institucioneve financiare zyrtare joperëndimore, për blerje shufra ari ose argjendi – vlera e të cilave nuk varet nga asnjë qeveri apo bankë, ndryshe nga monedhat.

Vitet e njëpasnjëshme të blerjeve rekord, ritmi i të cilave ka vazhduar edhe këtë vit, ka qenë një faktor shtytës pas rritjes së arit në afro 1,450 dollarë për ounce muajin e kaluar. Është rritur me 42 %, që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas në tetor. Pjesa e dollarit në rezervat globale të këmbimit valutor – duke përjashtuar arin – ka rënë nga më shumë se 70 % në vitin 2000, në rreth 55 % vitin e kaluar, duke hequr efektin e rritjes së dollarit amerikan, sipas një studimi nga FMN-ja këtë muaj. Duke përfshirë arin, pjesa e dollarit ka rënë nën gjysmën, thotë WGC.

Megjithëse monedha kineze ka bërë disa fitime si monedhë rezervë, pasiguria e varur mbi ekonominë e vendit, ka bërë që përqindja e bankave qendrore, që presin që ajo të rrisë pjesën e saj të rezervave globale, ra nga 79 % vitin e kaluar, në 59 % këtë vit. /Monitor-Syri.Net/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco