REL/ Kina nis manovra 'ndëshkuese' ushtarake përreth Tajvanit

REL/ Kina nis manovra 'ndëshkuese' ushtarake përreth Tajvanit

13:05, 23/05/2024
A+ Aa A-

Kina i ka filluar manovra “ndëshkuese” ushtarake përreth Tajvanit të enjten, duke thënë se ato janë përgjigje ndaj “veprimeve separatiste”.

Gjatë stërvitjeve të enjten në mëngjes në Ngushticën e Tajvanit dhe përreth ishujve të kontrolluar nga Tajvani, ushtria kineze simuloi një sulm të plotë kundër Tajvanit, pak ditë pasi presidenti i ri tajvanez Lai Ching-te e bëri betimin.

Kina, e cila pretendon se Tajvani demokratik është territor i saj, e ka dënuar fjalimin përurues të Lait të hënën, në të cilin ai i bëri thirrje Kinës t’i ndalte kërcënimet dhe tha se dy palët e Ngushticës “nuk i nënshtrohen ndaj njëra-tjetrës”.

Të martën, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e quajti të “pacipë” Lain.

Lai ka thënë vazhdimisht se është i gatshëm për bisedime me Kinën, por është refuzuar. Ai thotë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vet, dhe i hedh poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet.

Ushtria kineze tha se stërvitjet e përbashkëta ushtarake, mes ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe forcave raketore, në zonat përreth Tajvanit, filluan të enjten.

Stërvitjet po mbahen në Ngushticën e Tajvanit, në veri, jug dhe lindje të Tajvanit, si dhe në pjesët përreth ishujve të kontrolluar nga Tajvani, Kinmen, Matsu, Wuqiu dhe Dongyin, sipas ushtrisë kineze.

Kjo është hera e parë që Kina kryen stërvitje ushtarake në pjesët përreth këtyre ishujve.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit i dënoi stërvitjet, dhe njoftoi se i ka vënë në gjendje gatishmërie forcat e veta përreth ishullit, dhe se kundërajroret e saj forcat tokësore raketore janë duke i gjurmuar caqet. Ajo shprehu bindjen se mund ta mbrojë territorin e vet.

“Fillimi i manovrave ushtarake në këtë rast, jo vetëm që nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, por gjithashtu thekson edhe mendësinë militariste [të Kinës]”, tha Ministria tajvaneze.

Ushtria kineze në katër vjetët e fundit ka kryer aktivitete pothuajse ditore në afërsi të Tajvanit. Ajo kreu manovra ushtarake të shkallës së gjerë në afërsi të Tajvanit më 2022 dhe 2023.

Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur, e cila do të jetë pjesë e Kinës përfundimisht, dhe për ta arritur këtë nuk e ka hedhur poshtë as përdorimin e forcës.

Por shumë tajvanezë e shohin veten si pjesë të një kombi tjetër – edhe pse shumica e tyre janë në favor të ruajtjes së status-quos, sipas të cilës, Tajvani as nuk e shpall pavarësinë prej Kinës, e as nuk i bashkohet asaj./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco