Koalicioni i udhëhequr nga SHBA zotohet për përkrahje 'të palëkundur' të Ukrainës

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA zotohet për përkrahje 'të palëkundur' të Ukrainës

15:38, 21/05/2024
A+ Aa A-

Shtetet e Bashkuara i ofruan sërish Ukrainës garanci se do të vazhdojnë ta mbështesin Kievin për t’iu përgjigjur ofensivës ruse. Por, sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, analistët vlerësojnë se në fushëbetejë kriza humanitare po thellohet, në veçanti në rajonin e Kharkivit, ku forcat ruse po krijojnë një zonë sigurie.

Forcat ukrainase janë të angazhuara në luftime të ashpra me Rusinë. Ato janë të afta dhe gëzojnë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë. Ky ishte mesazhi kryesor që Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin përcolli pas takimit të fundit të rreth 50 shteteve, të cilat janë pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

“Diskutuam gjatë për sistemet e mbrojtjes ajrore të cilat po ndihmojnë Ukrainën që të kapë raketat ruse, dronët iranianë dhe municionet e Koresë së Veriut. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi që Ukraina të ketë kontroll mbi hapësirën e saj ajrore dhe të mbrojë qytetarët dhe infrastrukturën e saj larg vijave të frontit”, thotë Sekretari Austin.

Kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës po forcohen përmes një ndihme prej 1 miliardë dollarësh që u autorizua së fundmi nga Presidenti Biden. Kjo përkrahje vjen në një kohë kur forcat ruse po kryejnë sulme të reja në Kharkiv me synim për të krijuar një zonë sigurie përgjatë kufirit me Ukrainën, sipas Shefit të Shtabit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit CQ Brown Jr.

“Rusia parashikon që ky veprim do të shpërqendrojë vëmendjen dhe kapacitetet e Ukrainës nga rajone të tjera kritike të vendit. Ukraina ka bërë përpjekje të bashkërenduara për të ndërtuar dhe forcuar vijat e saj të mbrojtjes, të cilat po vihen në provë nga sulmet ruse", thotë ai.

Presidenti rus Vladimir Putin tha javën e kaluar se zona e sigurisë është një masë mbrojtëse ndaj sulmeve të Ukrainës.

“Është faji i Ukrainës që bombardoi dhe vazhdon të godasë vendbanimet përgjatë vijës kufitare në brendësi të Rusisë”, theksoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se forcat e tij kanë siguruar “pozicione më të favorshme” në rajonin e Kharkivit.

Por gjatë një interviste me agjencinë e lajmeve Reuters të hënën, ai kritikoi Perëndimin për vonesat për t’i dërguar armë Ukrainës.

“Sikur t’i kishim marrë sistemet e raketave Patriot që nga fillimi, atëherë kur vetëm disa dronë ishin futur në funksion, kur Rusia po godiste me raketa dhe kur të shihte raketat e saj duke u rrëzuar, do ta kuptonte se ishte e kotë të godiste infrastrukturën energjetike në shkallë të gjerë”, deklaroi ai.

Përparimi ushtarak i Rusisë në terren po ashtu ka përshkallëzuar krizën humanitare në Ukrainë, sipas ekspertëve.

“Ata kanë përparuar në rajonin e Kharkivit dhe mendoj se Putini dhe gjeneralët e tij nuk do të ndalen”, thotë analisti William Pomeranz nga Qendra Wilson.

Sulmet e Rusisë në rajonin e Kharkivit që nga 10 maji kanë detyruar evakuimin e rreth 10,500 banorëve, sipas zyrtarëve vendas./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco