Lajmi i fundit

LIVE/ Partia Demokratike tryezë për shpopullimin, efektet ekonomiko-sociale

SHBA, shtohen sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm

SHBA, shtohen sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm

07:31, 21/05/2024
A+ Aa A-

Sulmet kibernetike ndaj kompanive të menaxhimit të ujësjellësve në të gjithë vendin po bëhen më të shpeshta dhe më të rënda, paralajmëroi të hënën Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit. Drejtuesit e kësaj agjencie amerikane kërkuan nga entitetet që menaxhojnë rrjetin e ujësjellësve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të mbrojtur ujin e pijshëm në vend.

Rreth 70% e ndërmarrjeve të inspektuara nga zyrtarët federalë gjatë vitit të kaluar shkelën standardet që synonin të parandalonin sulmet kibernetike dhe regulla të tjera sigurie, tha agjencia. Zyrtarët kërkuan që edhe rrjetet e vogla të furnizimit me ujë të përmirësojnë mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike. Sulmet e fundit kibernetike nga grupet e lidhura me Rusinë dhe Iranin kanë vënë në shënjestër komunitetet më të vogla në Shtetet e Bashkuara.

Disa rrjete të furnizimit me ujë të pijshëm kanë mbrojtje të dobët të infrastrukturës bazë, duke përfshirë rregullin për ndryshimin e fjalëkalimeve dhe atij të ndërprerjes së qasjes në sistem për ish-punonjësit. Për shkak se ndërmarrjet e ujit shpesh mbështeten në programet kompjuterike për të operuar impiantet e trajtimit të ujit dhe sistemet e shpërndarjes, mbrojtja e teknologjisë së informacionit dhe kontrolleve të procesit është thelbësore, thuhet në raportin e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit. Ndikimet e mundshme nga sulmet kibernetike përfshijnë ndërprerjen e operacioneve të trajtimit të ujit, rezervuarëve të ujit, dëmtimin e pompave dhe valvulave dhe ndryshimin e niveleve kimike të ujit në sasi të rrezikshme, thuhet në raport.

Përpjekjet e grupeve private ose individëve për të ndërhyrë në rrjetin e një ujësjellësi dhe për të bllokuar faqet e internetit nuk janë të reja. Megjithatë, së fundmi, hakërët kanë filluar të vënë në shënjestër edhe operacionet e rrjeteve të furnizimit me ujë.

Sulmet e fundit kibernetike nuk janë janë kryer vetëm nga subjekte private. Disa sulme të fundit kibernetike ndaj ndërmarrjeve të ujit janë të lidhura me rivalët gjeopolitikë të Shteteve të Bashkuara dhe mund të çojnë në ndërprerjen e furnizimit me ujë për shtëpitë dhe bizneset amerikane.

Zëvendës administratorja e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Janet McCabe përmendi Kinën, Rusinë dhe Iranin si vendet që “po kërkojnë në mënyrë aktive aftësinë për të çaktivizuar infrastrukturën kritike të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë rrjetet e furnizimit me ujë”.

Në fund të vitit të kaluar, një grup i lidhur me Iranin i quajtur "Cyber Av3ngers" vuri në shënjestër organizata të shumta, duke përfshirë ndërmarrjet e ujit në një qytet të vogël të Pensilvanisë, që e detyruan atë të kalonte nga një pompë në distancë në operacione manuale për ta mbajtur në funksion rrjetin e furnizimit me ujë. Hakerët kishin në shënjestër një pajisjeje të prodhuar nga Izraeli, e përdorur nga kompania e menaxhimit të ujësjellësit. Sulmi mendohet se lidhej me luftën e Izraelit kundër Hamasit./VOA

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco