DW/ Scholz e Macron: Gjeorgjia po devijon nga rruga evropiane

DW/ Scholz e Macron: Gjeorgjia po devijon nga rruga evropiane

08:58, 20/05/2024
A+ Aa A-

Gjermania dhe Franca u shprehën me "shqetësim të thellë” për situatën në Gjeorgji. Në deklaratën e përbashkët të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron thuhet se të dy vendet konstatojnë me keqardhje të thellë për vendimin e qeverisë gjeorgjiane dhe partisë në pushtet për të devijuar nga rruga evropiane.

Deklarata e tyre lidhet me miratimin e një ligji të diskutueshëm për të kufizuar ndikimin e huaj në shoqërinë civile në Gjeorgji. Sipas tij organizatat dhe mediat që financohen të paktën 20 për qind nga jashtë, duhet të regjistrohen në të ardhmen si organe që "ndjekin interesat e fuqive të huaja”.

Kritikuesitt shohin paralele me ligjin kundër "agjentëve të huaj” në Rusi, i cili u mundëson autoriteteve të atjeshme të ndërmarrin veprime masive kundër mediave dhe organizatave kritike.

Ligj "kundër vlerave të përbashkëta evropiane"

Gjeorgjia mori nga fundi i vitit të kaluar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Sipas sondazheve më shumë se 80 për qind e gjeorgjianëve janë pro anëtarësimit të vendit të tyre në BE dhe NATO.

Në deklaratën e përbashkët franko-gjermane thuhet: "Dy vendet tona e kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Gjeorgjisë dhe kanë mbështetur në mënyrë aktive vendimin e Këshillit Evropian të dhjetorit 2023 për dhënien e statusit të kandidatit”.

Lidhur me ligjin e diskutueshëm në deklaratë thuhet se qeveria gjeorgjiane dhe partia në pushtet kanë vepruar kundër vlerave dhe aspiratave të përbashkëta evropiane të popullit gjeorgjian. "Rruga evropiane e Gjeorgjisë është hartuar - por Gjeorgjia vendos me çfarë shpejtësie dhe drejtimi do të ecë përpara," thuhet në deklaratë.

Protesta masive dhe vetoja e Presidentes

Ligji për kufizimin e ndikimit të huaj në shoqërinë civile në Gjeorgji u miratua nga parlamenti në Tbilisi në fillim të javës së kaluar, megjithë protestat masive nga dhjetëra mijëra qytetarë në Tbilisi.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, vuri dje veton ndaj ligjit të miratuar nga parlamenti. Presidentja, e cila konsiderohet si pro-evropiane, e quajti ligjin si "rus në thelb dhe frymë". Megjithatë vetoja e saj mund të anulohet nga Parlamenti./ DW/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco