Asnjë zyrtar në Teheran nuk e ka pranuar direkt se Irani është nën sulm Korrespondenti i televizionit shtetëror iranian thotë se qyteti i Isfahanit është 'i sigurt'

Asnjë zyrtar në Teheran nuk e ka pranuar direkt se Irani është nën sulm

07:45, 19/04/2024
A+ Aa A-

Izraeli ka kryer një sulm ndaj Iranit, raportuan mediat amerikane duke cituar zyrtarë qeveritarë amerikanë.

Ky duket të jetë sulm hakmarrës pas një sulmi të paprecedent ajror që Teherani kreu javën e kaluar në tokën e armikut të tij të përbetuar.

Media shtetërore iraniane tha se shpërthime janë dëgjuar më 19 prill afër qytetit të Isfahanit.

Një video e publikuar nga CNN dhe video të publikuara në rrjetet sociale shfaqën shpërthime të mëdha, që u raportua se kanë ndodhur afër Isfahanit.

Agjencia shtetërore e lajmeve iraiane, IRNA, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore qëlluan në një bazë të madhe ajrore në Isfahan, që është shtëpi e flotës së vjetër të F-14 Tomacts, të prodhimit amerikan, që ka Irani. Këta avionë luftarakë ishin blerë para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Në Isfahan po ashtu ka ndërtesa që janë pjesë e programit bërthamor të Iranit, përfshirë edhe uzinën nëntokësore për pasurimin e uraniumit në Natanz.

Kjo agjenci nuk dha detaje të tjera dhe nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur nëse Izraeli nisi një sulm, njofton Radio Evropa e Lirë.

Televizioni shtetëror iranian tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë hapur zjarr në disa provinca në mes të raportimeve se janë parë dronë në qiellin iranian.

Asnjë zyrtar në Teheran nuk e ka pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se Irani është nën sulm dhe ushtria izraelite nuk ka komentuar ende.

Teherani lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa kundër Izraelit në mëngjesin e 14 prillit. Pothuajse të gjithë dronët dhe raketat u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes së Izraelit, por edhe u penguan nga forcat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë dhe Jordanisë.

Sulmi i Teheranit gjerësisht ishte pritur në Izrael, pas një sulmi të dyshuar ajror izraelit ndaj ndërtesës së Ambasadës iraniane në Damask të Sirisë, më 1 prill. Në atë sulm u vranë dy gjeneralë iranianë.

Që atëherë, diplomatët dhe politikanët në mbarë botën, duke pasur frikë nga një përshkallëzim i madh luftarak në Lindjen e Mesme, kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, teksa prisnin përgjigjen e Izraelit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha më 17 prill se Izraeli do të vendosë si dhe nëse do t’i përgjigjet sulmit të paprecedent në tokën e tij.

Për dekada të tëra, Izraeli dhe Irani janë armiq të përbetuar. Por, ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë ndaj tokës së njëri-tjetrit, në vend se të përdorin forca aleate që të sulmojnë asetet e njëri-tjetrit që operojnë në shtete të treta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco