Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

09:24, 01/04/2024
A+ Aa A-

Turqi/ Zgjedhjet shënojnë një goditje të madhe për Erdogan

Image

Partia kryesore e opozitës në Turqi ka siguruar fitoren më të madhe zgjedhore në qytetet kryesore, si Ankaraja dhe Stambolli. Këto rezultate janë një goditje e madhe për presidentin Erdogan, i cili shpresonte të rimerrte kontrollin e Stambollit.

Erdogan drejtoi fushatën në Stamboll, qyteti ku u bë kryetar bashkie për disa vite, derisa në 2019-ën, kreu i opozitës, Ekrem Imamoglu e mori nga duart e tij. Erdogan kishte premtuar një epokë të re në qytetin e madh e Turqisë me pothuajse 16 milionë banorë, por kryebashkiaku aktual i Stambollit ishte në rrugën e duhur për të fituar më shumë se 50% të votave, mbi 10 pikë përpara kandidatit të presidentit Erdogan.

Presidenti Erdogan, 70 vjeç, pranoi se zgjedhjet nuk kishin shkuar siç kishte shpresuar, por ai u tha mbështetësve në Ankara se kjo ngjarje do të shënonte “jo një fund për ne, por një pikë kthese”.

Meksikë/ Vrasja e një vajze të mitur shkakton dhunë nëpër rrugë

Image

Një grua e dyshuar për vrasjen e një vajze të mitur 8-vjeçare u rrah barbarisht, për vdekje nga një turmë, pranë qytetit Taxco. Trupi i së miturës, Camila Gomez, u gjet pranë qytetit dhe me vrasjen e saj u lidhën gruaja e ndjerë dhe 2 persona të tjerë.

Në rrjetet sociale qarkulluan video ku shiheshin banorët që po rrihnin gruan në mes të ditës. Gjithashtu, në krimin e vrasjes së 8-vjeçares ishin të përfshirë edhe dy burra që ia dolën të mbijetonin. Banorët e qytetit i bllokuan ata, duke mos u lënë mundësi arratisjeje.

Gaza/ Izraeli sulmon kampin me palestinezë

Image

Një sulm ajror izraelit goditi një kamp me tenda jashtë një spitali në qendër të Gazës, duke lënë të vdekur 3 palestinezë dhe duke plagosur 15 të tjerë. Sulmi goditi disa prej tendave në spitalin “al-Aksa”, ku prej muajsh janë strehuar qindra palestinezë, të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre, për shkak të luftës së dhunshme që ka nisur qysh prej 7 tetorit 2023.

Gazetarët e terrenit e konfirmuan sulmin dhe ishin dëshmitarë të tij, ndërsa ushtria izraelite ende nuk ka bërë një reagim dhe nuk ka dhënë një arsye për sulmin vdekjeprurës.

Ekuador/ 8 viktima dhe 8 të plagosur nga një sulm me armë

Image

Tetë persona u plagosën dhe tetë të tjerë gjetën vdekjen nga një sulm i kryer nga njerëz të armatosur, të cilët goditën banorët në qytetin Guayaquil, në bregdetin ekuadorian. Lajmin e bëri me dije ministria e Brendshme në Ekuador.

Sipas dëshmitarëve, burra të armatosur mbërritën në vendngjarje me makinë dhe hapën zjarr. Nga sulmi, 2 persona vdiqën në vend, ndërsa 6 të tjerë, në spital, nga plagët vdekjeprurëse që kishin marrë. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco