Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Investigimi i 'RAI 3', pse është friksuar Edi Rama?

SHBA hetim rreziqeve nga makinat inteligjente

SHBA hetim rreziqeve nga makinat inteligjente

21:16, 29/02/2024
A+ Aa A-

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se po fillojnë një hetim për rreziqet e mundshme të sigurisë nga automjetet inteligjente që përdorin teknologji nga vende si Kina.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se ka udhëzuar Departamentin e Tregtisë të fillojë hetimin për të përcaktuar se çfarë masash duhen marrë për t’u siguruar që makinat që qarkullojnë në rrugët e Shteteve të Bashkuara nuk do të dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit.

‘Shumica e makinave sot janë të lidhura me rrjetin – janë si celularë inteligjentë me rrota’, thuhet në deklaratën e presidentit Biden. ‘Këto makina janë të lidhura me telefonat tanë, sistemet e navigimit, me infrastrukturën jetike dhe me kompanitë që i kanë prodhuar. Makinat inteligjente të ardhura nga Kina mund të mbledhin të dhëna të rëndësishme për qytetarët tanë dhe infrastrukturën tonë dhe mund t’ia dërgojnë këto të dhëna Republikës Popullore të Kinës’.

Zyrtarë të lartë amerikanë u thanë gazetarëve gjatë një lidhjeje telefonike se nuk kanë një numër të saktë të automjeteve të lidhura me vendet që përbëjnë shqetësim për Shtetet e Bashkuara, por thanë se ky numër është shumë i vogël.

‘Ka të bëjë shpesh me makinat që prodhohen në Kinë, nga kompanitë kineze. Janë shumë pak makina të tilla sot në rrugët e Shteteve të Bashkuara’, tha një zyrtar.

Në këtë pikë nuk do të vendosen masa ndalimi apo tarifa, por puna do të përqëndrohet më tepër tek mbledhja e informacionit për të parë se për cilat aspekte mund të vendosen rregulla të reja, thanë zyrtarët amerikanë.

‘Theksojmë se është e rëndësishme të merren masa përpara se të bëhet një numër i madh makinash të tilla në rrugët amerikane’, tha një zyrtar. ‘Me rritjen e shpejtë të tregut të eksportit të makinave kineze dhe vendosjen e pranisë në vende të tjera, përfshirë në vende të Evropës, është e rëndësishme të vlerësojmë tani rrezikun për sigurinë kombëtare’.

Teknologjive të cilave do t’u kushtohet më shumë vëmendje janë paisjet dhe programet në automjetet që mund të mbledhin dhe të transmetojnë të dhëna që mund të përdoren për qëllime keqdashëse.

Një zyrtar tha se shqetësimet e mundshme variojnë që nga çështjet e privatësisë, si përmbajtja e mesazheve SMS apo të postës elektronike, që lidhen me sistemin e makinës nëpërmjet telefonit të shoferit dhe deri tek një skenar i mundshëm kur një entitet në Pekin mund të çaktivizojë qindra mijëra makina inteligjente kineze në rrugët e Shteteve të Bashkuara. /VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco