Gjykata e Lartë pranon kërkesën ish Presidentit Trump për imunitet

Gjykata e Lartë pranon kërkesën ish Presidentit Trump për imunitet

20:19, 29/02/2024
A+ Aa A-

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të shqyrtojë pretendimet e ngritura nga ish presidenti Donald Trump, se një ish-president gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprime zyrtare gjatë kohës që ka qënë në detyrë.

Gjatë muajit prill organi më i lartë gjyqësor me shumicë konservatore do të dëgjojë argumentet e palëve nëse ish Presidenti Trump mund të gjykohet për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Vendimi që pritet të merret në fund të qershorit, do të shkaktojë vonesa të tjera në betejat ligjore të zotit Trump.

Gjykata e Lartë ra dakord të mërkurën të shqyrtojë pretendimet e ish Presidentit Donald Trump se ai gëzon imunitet nga ndjekja penale mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve që i humbi më 2020.

Vendimi i së mërkurës do të vonojë edhe më shumë proceset gjyqësore të zotit Trump, ndërsa ai kandidon për t’u rikthyer në Shtëpinë e Baardhë dhe e vë organin më të lartë gjyqësor të vendit me një shumicë konservatore 6 me 3, kur tre gjyqtarë janë emëruar nga zoti Trump, në qendër të vëmendjes në betejën zgjedhore.

Vendimi i gjykatës së Lartë për të shqyrtuar pretendimin, pezullon ndërkohë procesin gjyqësor që kishte filluar, mbi përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, që drejtohet nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith. Gjyqi nuk do të nisë më 4 mars siç ishte parashikuar dhe nuk ka një datë të re gjyqi.

Ish Presidenti Trump pretendon se gëzon i munitet ndaj ndjekjes penale sepse ai ishte president në kohën kur ndërmori veprimet që synonin përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve që u fituan nga demokrati Joe Biden.

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë vendimin e gjykatës së apelit, e cila i ka hodhur poshtë pretendimet e zotit Trump se gëzon imunitet nga ndjekja penale.

Argumentet mbi këtë çështje do të dëgjohen në muajin prill, ndërsa vendimi pritet të merret në fund të qershorit.

Gjyqtarët do të përqendrohen tek një pyetje: ‘Nëse, dhe në qoftë se po, deri në çfarë mase gëzon imunitet presidencial nga ndjekja penale një ish president, për veprime që supozohet se përfshinin akte zyrtare gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë’.

Rebeça Gill, profesore e shkencave politike në Universitetin e Nevadës, thotë se nuk është e qartë se çfarë vendimi mund të merret.

‘Mendoj se ka shumë pak studies juridikë që mendojnë se shumica e gjykatës do të pajtohej që presidenti gëzon këtë lloj imuniteti të gjerë mbi çdo veprim në detyrë, aq më pak veprimet që pretendohen këtu. Por, kjo nuk do të thotë se kjo është një ditë e lumtur për zyrën e Jack Smithit, sepse kjo domosdoshmërisht do t’i vonojë gjërat në një farë mase’, thotë ajo.

Zoti Trump në një postim në rrjete sociale përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë për të shqyrtuar kërkesën e tij për imunitet.

 ‘Pa imunitet presidencial, një president nuk është në gjendje të punojë siç duhet, ose të marrë vendime në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës’, shkroi ai.

Më 6 shkurt, Gjykata e Apelit në Uashington e rrëzoi kërkesën për imunitet të zotit Trump. Trupi i përbërë nga tre gjyqtarë u shpreh në arsyetimin e vendimit se ‘nuk mund të pranonte që institucioni i presidentit, i vendos ish mbajtësit e postit mbi ligjin për gjithë kohën tjetër pasi të jenë larguar nga detyra’.

Mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin në janar të vitit 2021, me synimin për të penguar certifikimin e Presidentit Biden.

Kjo pasi zoti Trump dhe aleatët e tij bënë pretendime të rreme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin vjedhur dhe hartuan një plan për të pëdorur elektorë të rremë për të penguar fitoren e zotit Biden.

Nëse ish Presidenti Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ai mund të shfrytëzojë autoritetin për të penguar ndjekjet penale kundër tij, ose të falë veten për çdo krim federal.

Të mërkurën një gjykatëse në Illinoi vendosi ta heqë emrin e zotit Trump nga lista e kandidatëve presidencialë republikane për zgjedhjet paraprake në këtë shtet… duke u mbështetur tek argumentet se ish presidenti shkeli amendamentin e 14-të të Kushtetutës. Por ky vendim, nuk do të hyjë në fuqi, ndërsa pritet apelimi i tij nga zoti Trump.

Gjykata e Lartë, që po shqyrton edhe këtë çështje, pritet që së shpejti të vendosë për një rast të ngjashëm të shtetit të Kolorados, që e ka hequr emrin e zotit Trump nga lista e kandidatëve. Gjykata i dëgjoi argumentet për këtë çështje në fillim të muajit shkurt dhe tani pritet vendimi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco