Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Hetimi i TIMS, frika e socialistëve

SHBA po e shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ndihma në Gazë

SHBA po e shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ndihma në Gazë

09:21, 29/02/2024
A+ Aa A-

Administrata e presidentit Joe Biden, po e shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ushtarakë amerikanë ndihmë në Gazë, pasi dërgesat tokësore po bëhen gjithnjë e më të vështira. Kështu tha një zyrtar amerikan më 28 shkurt.

Ofensiva e ushtrisë izraelite kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë ka rrafshuar shumicën e enklavës të populluar dendur, duke vrarë afër 30.000 persona dhe duke detyruar pothuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset. Lufta ka shkaktuar krizë humanitare, teksa shumë përballen me urinë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, volumi i ndihmës humanitare që ka hyrë në Gazë në shkurt është përgjysmë më pak sesa në janar.

Të paktën 576.000 persona në Rripin e Gazës – një e katërta e popullsisë – janë buzë urisë, tha Zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare e OKB-së. Kjo zyrë tha se grupet e ndihmës po përballen “me pengesa të mëdha vetëm për të dërguar minimumin e furnizimeve në Gazë”.

OKB shtoi se një në gjashtë fëmijë nën moshën dyvjeçare në veri të Gazës vuan nga kequshqyerja akute dhe praktikisht të gjithë banorët në enklavën palestineze varen nga ndihmat ushqimore për të mbijetuar “që mjerisht janë të pamjaftueshme”.

Zëvendësambasadori i SHBA-së në Izrael, Jonathan Miller, i cili ishte i pari që të martën përmendi mundësinë e dërgimit të ndihmave nga ajri, citoi disa zyrtarë amerikanë të cilët kanë thënë se ndihmat e dërguara në këtë mënyrë do të kenë efekt të kufizuar pasi avionët mund të hedhin ndihma në sasi që janë të barasvlershme me ndihmat që mund të transportohen nga një apo dy kamionë.

Përveç SHBA-së, edhe Kanadaja ka deklaruar se po punon për të dërguar ndihmë humanitare nga ajri. Ndihma humanitare në këtë mënyrë në Gazë veçse janë dërguar nga ushtria jordaneze në bashkëpunim me Francën.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me ofensivë të ashpër ajrore dhe tokësore. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdimisht ka përsëritur se do të luftojë në Gazë deri në një “fitore absolute”, që siç ka thënë ai, nënkupton shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe udhëheqëse të Hamasit, grup që kontrollon Gazën./REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco