Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Hetimi i TIMS, frika e socialistëve

'Gjysma e saj u vra, po vetëm Yulia mund ta vazhdojë punën e Alexey Navalny'

'Gjysma e saj u vra, po vetëm Yulia mund ta vazhdojë punën e Alexey Navalny'

07:34, 21/02/2024
A+ Aa A-

Duke luftuar me emocionet, vetëm disa ditë pas vdekjes së dyshimtë së kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalnyt, në një burg në Arktik, Yulia Navalnaya, e veja e tij, është zotuar se do të vazhdojë të çojë përpara aktivizimin e burrit të saj, kundër qeverisë autoritare të presidentit rus Vladimir Putinit.

“Do ta vazhdoj kauzën e Aleksei Navalnyt”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

“Do ta vazhdoj luftën për shtetin tonë, dhe u bëj thirrje që të qëndroni mbrapa meje. Mos e ndani vetëm dhimbjen që na ka rrethuar. Ju kërkoj që të ndani me mua edhe zemërimin dhe urrejtjen për ata që kanë guxuar të vrasin të ardhmen tonë”.

“U rikujtoj fjalët e Alekseit… ‘nuk është turp të bësh pak. Është turp të mos bësh asgjë. Është trup t’i dorëzohesh frikës’”, ka thënë shtuar ajo.

Kjo ka qenë një thirrje e papritur, por e pastër si loti, që rusët të mbajnë gjallë shpresën për ndryshim që e ka mbajtur gjallë Navalnyn, dhe të bëjnë çfarë të munden për ta jetësuar atë, në një shtet që Putin ka dominuar për gati një çerek shekulli.

Mirëpo në kohën e kufizimeve më të ashpra - prej epokës së diktatorit sovjetik Josef Stalinit - dhe teksa vazhdon lufta e Moskës kundër Ukrainës, Navalnaya përballet me betejë të ashpër, teksa synon të bëjë dallimin.

Politikani opozitar, Dmitry Gudkov, ka thënë se deklarimet e Navalnayas përbëjnë “akt të guximshëm” dhe “vendim të rrezikshëm”.

“Yulia e ka vënë mbi supe përgjegjësinë për komunikim, mbështetje dhe inspirim të njerëzve”, ka thënë Gudkov për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse, të menaxhuar prej Radios Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

“Ajo ka bërë thirrje për mbështetje, dhe për këtë arsye kam reaguar. Shpresoj që pas asaj që ka ndodhur, ne do të mund të bashkohemi, t’i lëmë anash ambiciet, të harrojmë ofendimet e së kaluarës, që janë mbledhur në mes të opozitës dhe shoqërisë civile”.

“Armiku është i fuqishëm”, ka thënë ai.

“Dhe frikësohem që, fatkeqësisht, kjo nuk do të jetë vrasja e fundit politike”.

Vdekja e Navalnyt e ka zbehur opozitën tashmë të përçarë në Rusi, pasi një pjesë e figurave me ndikim janë detyruar të largohen prej shtetit, ose janë burgosur, në kuadër të shtypjes që u ka bërë shteti zërave kundërshtarë qysh prej protestave kundër Qeverisë, të udhëhequra pjesërisht prej Navalnyt, që datojnë prej vitit 2011-2012.

Shteti e ka rënduar edhe më shumë dorën pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2018 dhe vendimet janë intensifikuar pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Analistja politike Yekaterina Shulman, ka thënë se ekziston një pakicë e konsiderueshme ende brenda Rusia, mirëpo vdekja e Navalnyt do të mund t’i “demoralizojë” dhe “paralizojë” shumë prej tyre.

“Ka shumë diversitet në mesin e shumë grupeve të pakënaqura brenda Rusisë”, ka thënë Shulman për Radion Evropa e Lirë.

“Disa janë të pakënaqur për shkak të luftës dhe disa për shkak se lufta po zhvillohet ‘pa ndonjë rezultat’. Disa janë të pakënaqur për shkak të inflacionit, disa për shkak të ndërhyrjeve në jetën private, apo kufizimeve në internet. Disa frikësohen nga shtypja, apo shtypja e njerëzve të rrethit të tyre”.

“Këta njerëz nuk kanë shkuar askund, mirëpo ata janë të shpërndarë”, ka thënë ajo.

“Ende është pikëpyetje se kush mund t’i koordinojë ata dhe më çfarë suksesi”.

Në një shtet ku institucionet në vend që t’i shërbejnë publikut, e mbështesin shtetin, rruga përpara është e paqartë.

“Nuk ekziston asnjë mekanizëm ligjor për të shndërruar zemërimin tonë në ndryshim politik”, ka thënë shkrimtari liberal dhe satiristi, Viktor Shenderovich.

Udhërrëfyese jete

Ndonëse Yulia Navalnaya, një ekonomiste e shkolluar, ka qëndruar në hije të karrierës së burrit të saj si politikan opozitar dhe aktivist kundër korrupsionit, ajo ka qenë gjithmonë afër tij.

Ajo ka qëndruar në krah me të në shumë fushata politike dhe procese gjyqësore.

Kur ai është sëmurë gjatë një fluturimi prej Siberisë në Moskë, në gusht të vitit 2020, ajo ka luftuar publikisht dhe me sukses ka arritur të dërgojë Navalnyn për trajnim në Gjermani, pas helmimit me agjent nervor Noviçok.

Çifti ka arritur të zbulojë që helmimi është kryer prej pjesëtarëve të Shërbimit Federal të Sigurisë në emër të Putinit.

Në një intervistë të përbashkët me blogerin Yury Dud, pak pas kthimit në Rusi, në janar të vitit 2021, çifti ka diskutuar për përkushtimin e saj për idealet politike.

Navalnaya ka thënë se nuk ka tentuar kurrë të bindë burrin e saj që të heqë dorë prej aktivizimit.

“Ju më keni kritikuar që kam qenë radikal”, i ka thënë Navalny Dudit.

“Do të doja ta dëgjonit Yulian duke folur për politikën. Do ta kuptonit se sa i moderuar jam unë”.

Ai ka thënë se beson që gruaja e tij është “radikalizuar” prej përvojës së luftimit të burokratëve qeveritarë, kur burri i saj ka qenë në gjendje kritike.

Në janar të vitit 2021, gazetarja ruse Yevgenia Albats, pati thënë në një artikull për gazetën britanike The Independent, se Navalny “diskuton secilin hap me Yulian”.

“Yulia është udhërrëfyese e jetës së tij”, ka thënë ajo. “Ajo e bën atë më të mirë”.

Në një postim në X, të njohur më parë si Twitter, pas deklarimit të bërë prej Navalnayas, Albats e ka vazhduar komentin mbi ata të dy.

“Gjithmonë kam menduar se Aleksei Navalny përbëhet prej dy njerëzve – Yulias dhe Aleksei Navalnyt”, ka shkruar ajo.

“Sikurse e tha Yulia, gjysma e saj është vrarë, mirëpo nëse dikush mund ta vazhdojë punën e tij, ajo është Yulia”.

Ende mbetet të shihet se si saktësisht do të veprojë.

‘Animacion i pezulluar politik

Navalnaya ka jetuar jashtë Rusisë që disa vjet.

Në verën e vitit 2023, televizioni shtetëror rus, RT, duke cituar burimeve qeveritare, pati thënë se ajo do të arrestohej menjëherë, nëse do të tentonte të kthehej në Rusi.

Për gazetarin e Deutsche Welles, Konstantin Eggert, detyra më e rëndësishme është “të krijohen kapacitete për të nxjerrë një pjesë të mirë të popullatës prej këtij animacioni të pezulluar politik” dhe të krijohen “fushata të dukshme të mosbindjes civile”.

Së dyti, Navalnya do të duhet të “mobilizojë opinionin perëndimor kundër Putinit”, ka thënë Eggert.

Më e rëndësishmja, kjo do të nënkuptojë rritje masive të mbështetjes për luftën e Kievit kundër pushtimit rus.

“Kjo do të jetë sfidë e madhe për Navalnyan”, ka thënë ai, “sepse pozita e të mbështeturit të Ukrainës, ende është e dyshimtë për shumë pjesëtarë të opozitës ruse. Ata hamendësojnë si do të reagojnë Ivan Petrovich në Çeljabinsk dhe Maria Sergeyevna në Moskë”.

“Është e pamundshme, beson ai, të diskutohet rrëzimi i Putinit, pa e diskutuar mbështetjen për Ukrainën.

“Putin e ka kthyer luftën ne themele të politikave të tij, prandaj pozicionimi për çështjen e luftës është diçka obligative”, ka thënë Eggert.

“Do të jetë e domosdoshme që të krijohet një pozicion që është krejtësisht ndryshe prej atij të Putinit”.

Analistja politike Maria Snegovaya, është pajtuar që mbështetja e gjerë e publikut për luftën, rrit dilema për opozitën.

“Yulia dhe e gjithë opozita përballen me problemin e njëjtë sikurse më 2014 lidhur me [pushtimin e] Krimesë”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Si mund të jenë ata politikanë demokratikë në një shtet ku 80 ose 90 për qind e popullsisë e mbështesin aneksimin apo shkeljen e pashembullt të kufijve ndërkombëtarë? Sot, ne nuk po flasim për 80-90 për qind, apo për 60-70 për qind të njerëzve që vazhdojnë të mbështesin luftën në Ukrainë”.

“Në një mënyrë apo tjetër, e gjitha opozita përballet me problemin e njëjtë”, ka thënë Snegovaya.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco