Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 11 para bashkisë së Tiranës kundër aferës 5D dhe të inceneratorëve

Sfidat e vështira të Yulia-s në Rusi

Sfidat e vështira të Yulia-s në Rusi

11:29, 20/02/2024
A+ Aa A-

Për vite me radhë,  Yulia Navalnaya ishte e pranishme thuajse gjatë gjithë kohës krah bashkëshortit të saj. Në protestat politike, ashtu sikurse në dëgjesat gjyqësore, shpesh duke i mbajtur dorën.

Në 2020, kur Alexei Navalny u helmua me agjent nervor, ishte Yulia që bëri të gjithë betejën që ai të shkonte jashtë vendit për trajtimin që i shpëtoi jetën. Tani ai vdiq i vetëm dhe shumë larg prej saj në një burg të Arktikut.

Ajo akuzon presidentin rus Vladimir Putin për këtë dhe i bën tashmë thirrje rusëve që të qëndrojnë krah saj për ta luftuar.

Në deklaratën që Yulia Navalnaya postoi online të hënën, ajo njoftoi vendimin e qëllimshëm dhe dramatik për t’u futur në politikë. Dashuria e saj për bashkëshortin është kaq e fortë dhe dhimbja ende shumë e gjallë, sa regjistrimi në disa pjesë është i dhimbshëm për t’u parë.

Megjithatë është tepër bindës.

E veja e Navalny e përshkruan veten të ndarë më dysh, e me zemrën e thyer. Por është mëria që po e udhëheq që të vijojë kauzën e bashkëshortit.. Ajo thotë se do të realizojë “Rusinë e bukur të së ardhmes”, në mënyrë që vdekja e tij “e paimagjinueshme” të mos jetë për hiçgjë.

Për disa rusë, të cilët kundërshtojnë Vladimir Putin dhe janë tejet të dëshpëruar momentalisht, fjalimi i saj do ketë qenë mjaft frymëzues.

Deri në këtë moment, Yulia Navalnaya ishte e rezervuar dhe e distancuar. Por videoja tregon për një grua me një forcë të madhe të brendshme.

Humbja dhe dashuria e saj i dhanë autoritetet të pastër moral dhe ajo po angazhohet.

Gratë e forta

Ekziston një precedent i grave të forta të cilat ngrihen në mungesë të burrave.

Kjo ndodhi në Bjellorusinë fqinje, ku autoritari Alexander Lukashenko, e nënvlerësoi kaq shumë Svetlana Tikhanovskaya sa e lejoi që të regjistrohej për fushatën presidenciale të 2020-s, kur bashkëshorti i saj Sergei Tikhanovsky u arrestua.

Seksizmi gati sa nuk i kushtoi vijimësinë e pushtetit Lukashenkos. Kur ai njoftoi fitoren e ngushtë, Tikhanovskaya mblodhi turma gjigante në rrugë, që protestuan për manipulim të votave. Asaj iu desh që të arratisej jashtë vendit, pasi u paralajmërua nga shërbime e huaja të inteligjencës dhe tani vepron si ‘presidente’ në mërgim.

Një rol global mori edhe Evgenia Kara-Murza.

Kur bashkëshorti i saj u helmua në Moskë në 2015-n dhe 2017-n, Evgenia luftoi që të qëndronte krah tij në spital, duke e ruajtur gjatë gjithë kohës.

Në atë kohë, Vladimir Kara-Murza po bënte fushatë për liderët Perëndimorë, për të ashpërsuar sanksionet mbi njerëzit e Putin.

Më pas në 2022, ai u arrestua pasi dënoi krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe u dënua për tradhti.

Evgenia, me profesion përkthyese, tani e kalon pjesën më të madhe të kohës duke vijuar fushatën e bashkëshorti të saj për sanksione, ashtu sikurse duke bërë thirrje për lirinë e tij në kryeqytetet Perëndimore.

Opozita dërrmuese

Yulia Navalnaya mund të marrë një rol të ngjashëm. Ajo iu adresua ministrave të jashtë të BE, të cilët në një deklaratë shprehën revoltën e tyre për vdekjen e Navalny. Ata thanë se përgjegjësia përfundimtare i takonte Putin dhe premtuan “kosto të tjera”, ende të pa specifikuara.

Por drejtimi i forcave opozitare brenda Rusisë është i vështirë për t’u arritur.

Si fillim, Yulia Navalnaya është jashtë vendit. Teksa sapo ka akuzuar Putin për vrasjen e bashkëshortit të saj, një udhëtim mbrapsht në Rusi si aktiviste do të ishte me shumë rrezik.

Brenda Rusisë, organizata politike e Navalny është e ndaluar si “ekstremiste”, njësoj si grupi i Shtetit Islamik, e al-Qaeda.

Vetëm pak përpara se të kjo organizatë të konsiderohej e ndaluar në 2021-n, ekipi i Navalny thirri një protestë të cilën e cilësuan si “beteja e fundit”. Kauza ishte e fortë. Forcat policore ishin masive. Por numri i protestuesve ishte më pak mbresëlënës. Që prej asaj kohe, presioni është intensifikuar në të gjithë opozitën. Aktivistët e Navalny janë ose në burg, siç ishte dhe ai, ose janë larguar në mënyrë që t’i shpëtonin arrestimit.

Përgjatë dy dekadave me radhë në pushtet, Vladimir Putin është kujdesur të shtypë çdolloj opozite, në mënyrë sistematike.

Nuk ka mbetur shumë opozitë për t’u drejtuar nga Yulia.

Tufat me lule në memorialët e Navalny në mbarë Rusinë tregojnë se shumë njerëz e duan ndryshimin. Sa herë që ato hiqen nga persona të veshur me kapuçë të zinj, njerëzit çojnë edhe më shumë lule. Është një akt rezistence i qetë dhe i paqtë.

Janë këta rusët të cilëve u drejtohet e veja e Navalny në videon e saj, ku u bën thirrje të bashkohen kundër regjimit rus. Por frika e tyre dhe ndjenja e pafuqisë janë shumë të forta.

Fundja ishte Alexei Navalny ai që luftoi më fort gjatë gjithë jetës së tij, e që pagoi një çmim të madh për këtë.

BBC/tvklan.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco